Organizmi Kombëtar i Shëndetit në Greqi ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 262 raste të reja me Covid-19 në vend, një numër rekord prej fillimit të pandemisë dhe në total numri i të prekurve ka shkuar 6177. 22 prej rasteve të sotme, që janë zbuluar në pikat e hyrjes të vendit si porte dhe aeroporte.

Ndërkohë që numri i pacientëve në terapi intensive është trefishuar duke shkuar në 24, prej të cilëve 3 janë nën 40 vjeç. 2 persona kanë humbur jetën duke e çuar në total numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 216.

Theksohet se prej rasteve të sotme 36 janë zbuluar pas testeve të bëra në një azil pleqsh në Asvestohori të Selanikut, ku janë gjetur pozitiv 3 punonjëse të azilit dhe 33 të moshuar.

Duke parë rritjen dramatike të rasteve ministri grek i Shëndetësisë u ka bërë thirrje sidomos të rinjve të kenë kujdes duke zbatuar masat pasi siç ka theksuar ai mosha mesatare e te prekurve me Covid-19 ne 11 ditët e para të gushtit është vetëm 36 vjeç.

Ndërkohë organet greke shohin me shqetësim se masa që kanë shpallur për mbylljen e bareve, klubeve dhe restoranteve në orën 12 të natës, ka sjellë përsëri fenomenin e tubimit të të rinjve në sheshet e hapura të qyteteve dhe përsëri rreziku për përhapjen e virusit është ende i madh.