Mediumi ‘Euractiv’ shkruan që jeta politike e Serbisë po “nxehet” këtë Gusht derisa diskutimet për marrëdhëniet me Kosovën kanë arritur një shpejtësi të furishme që varion nga një ndarje e mundshme e Kosovës e deri në shkëmbim territoresh e ndryshim kufijsh.

Më shumë, në artikull përmenden deklaratat e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, që dëshiron korrigjim të kufirit, mirëpo duke refuzuar ta zbulojë përmbajtjen e negociatave me shqiptarët e Kosovës, pasi sipas tij, kjo do t’i zbulonte lëvizjet e Serbisë në negociata.

Mirëpo, ai ka thënë që një marrëveshje e ardhshme mes Beogradit dhe Prishtinës do të ishte një paketë gjithëpërfshirëse që “nuk është aq e thjeshtë siç disa e mendojnë”.

Në shkrim nënvizohet edhe takimi mes Kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe kreut të Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Dennis Zvizdiç, më herët gjatë kësaj jave në Berlin, ku Merkel kishte thënë se duhet përsëritur çdo herë që nuk ka ndryshim kufijsh në Ballkan./klankosova