Pas tre ditëve debat, ndryshimet kushtetuese për emrin e ri të Maqedonisë, sot pritet të hidhen në votim në seancën e Kuvendit, që nis në mesditë. Partitë e mazhorancës dhe Kryeministri Zoran Zaev janë optimistë se do të mund të sigurohen 80 deputetë për të votuar pro ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë VMRO-DPMNE është e vendosur të votojë kundër këtyre ndryshimeve. Në konferencë për shtyp, zëdhënësi i partisë opozitare maqedonase, Dimçe Arsovski tha se “qëndrimi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së është i vendosur, kjo parti nuk e përkrah marrëveshjen kapitulluese dhe do të respektojë vullnetin e qytetarëve të deklaruar në referendum”.

Koalicioni i partive në pushtet, duke llogaritur edhe votat e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA të Kasamit ka 72 deputetë. Por për t’i hapur rrugë ndryshimit të Kushtetutës duhen 80 deputetë, pra nevojiten edhe 8 vota nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së. Nëse draft-propozimi i përbërë prej disa amendamenteve për ndryshime kushtetuese nuk merr dritë jeshile në Kuvend, atëherë Maqedonia pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.