Tensionohet situata në burgjet greke pas vdekjes së një 38-vjeçari në burgun e Malandrinos.

Sipas të dënuarve në këtë burg, viktima humbi jetën në qelinë e tij dhe kishte shenja të Covid-19, ndërsa ekspertiza ka treguar se viktima nuk ka qenë me Covid-19, por humbi jetën si pasojë e një penumonie akute.

Të dënuarit besojnë se është fshehur ngjarja, por ministria e Drejtësisë thotë se autopsia në trupin e viktimës tregon pneumo si dhe testet e Covid-19 kanë dalë negative.

Kështu, në burgjet Malandrino, Patër dhe Janinë ka pasur reagim të të dënuarve, të cilët i dërguan një peticion qeverisë, ku kërkonin kushte më të mira jetese si dhe përshpejtim të procedurave për lirimin e atyre që përmbushin kushtet, të cilat njoftoi ministria e Drejtësisë, si masë për uljen e të dënuarve në burgjet e vendit, në kuadër të masave antiCovid.

Më herët, ministria greke e Drejtësisë njoftoi një amnisti për lirimin e të dënuarve me më pak se 7 vite dënim, por që u mbetet më pak se 12 muaj dënim për të kryer, si dhe lirimin e të dënuarve mbi 65 vjeç.

Burime në ministrinë e Drejtësisë i thane Top Channel-it, se procedurat janë vonuar për shkak të mbylljes së gjykatave, të cilat do të hapen në 27 prill dhe në vazhdim do fillojnë lirimet sipas kritereve të vendosura. Burimet thanë se për kategoritë e rrezikuara ka pasur leje të posaçme duke i liruar jo zyrtarisht, derisa të hapej gjykata dhe të bëheshin procedurat.

Situata në burgjet e vendit është alarmante, pasi kushtet në to janë ekstremisht të këqija, madje, lidhur me situatën në to, Greqia është kritikuar nga autoritetet evropiane dhe shoqatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut.