Kryeministri Alexis Tsipras njoftoi sot një riformatim të pjesshëm të qeverisë, pas daljes së vendit nga tetë vite të planit të ndihmës nga BE-ja dhe FMN-ja, dhe një fjalimi ku pritet të shpalosë politikën e ardhshme ekonomike.

Tsipras mbajti ministrin e tij të Financave, Euclide Tsakalotos, i cili ka drejtuar të gjitha negociatat me kreditorët e vendit që prej korrikut të 2015. Ai mbajti gjithashtu ministrin e tij të Mbrojtjes, Panos Kammenos, lideri i partisë së vogël të së djathtës ANEL me të cilin Cipras ka formuar që prej ardhjes së tij në pushtet në janar 2015 një ekip të fortë qeveritar.

Ministrat e Punës, Turizmit, Migracionit dhe të Punëve të Jashtme do të mbeten të pandryshuar, ky i fundit Nikos Kotzias po punon për marrëveshjen delikate në lidhje me emrin e ardhshëm të fqinjit maqedonas, që pritet tashmë të miratohet në të dy shtetet.

Tsipras ka përfshirë disa drejtues të rinj nga partia e tij Syriza. Në krye të policisë ai vendosi ish-zëdhënësen e tij, Olga Gerovassili, e cila do të zëvendësojë Nikos Toskas. Ai dha dorëheqjen pas tragjedisë në Mati ku u regjistruan 97 të vdekur në korrik sipas një bilanci ende jo përfundimtar. Zëvendësministrja e Policisë do të jetë gjithashtu një grua, Katerina Papacosta, e cila më parë ka qenë pjesë e partisë konservatore Demokracia e Re.

Një tjetër shenjë e një hapje të lehtë, një ish-ministre e Shëndetësisë e Pasokut (socialiste) Mariliza Xenogiannakopoulou emërohet ministre e Reformës Administrative.

Kryministri Tsipras 44 vjeç, ia doli mbanë më 20 gusht të nxirrte vendin e tij nga paketa e ndihmës që zgjati tetë vjet, që u shoqërua me reforma shumë të vështira për popullatën. I vënë nën shënjestrën e kritikave për menaxhimin e zjarrit në Mati, ai renditet pas në sondazhe përballë rivalit të tij të Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis.

Kryeministri do të mbajë fundjavën e dytë të shtatorit në panairin vjetor të Selanikut (veri) një fjalim, i cili do të jetë i pari i legjislaturës së tij ku do të shpalosë një politikë ekonomike pak më të pavarur nga kreditorët, megjithëse këta të fundit do të vijojnë të ushtrojnë një program monitorues për Greqinë, në këmbim të lehtësimit të borxhit.

Gjatë vizitës së Tsipras në Itakë më 21 gusht, ai pohoi se vendi kishte fituar sërish të drejtën për të përcaktuar fatin dhe të ardhmen e tij, përcjell Atsh.

Ai ka njoftuar tashmë një rritje të pagës minimale.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë caktuar shtatorin e 2019, gjithnjë nëse Tsipras nuk i përshpejton ato në maj, me zgjedhjet evropiane.