Maqedonia e Veriut regjistroi këtë të shtunë 8 viktima nga koronavirusi.

Në mesin e tyre ishte edhe një vajzë 24-vjeçare nga Tetova, që është edhe viktima më e re që ka ndërruar jetë nga COVID-19 në këtë vend.

Sipas burimeve mjekësore, viktima nuk ka pasur asnjë sëmundje tjetër kronike, por në Klinikën Infektive në Shkup ishte shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore pasi më parë ishte diagnostikuar me COVID-19.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi tani ka arritur në 376, shumica prej tyre nga Shkupi.

Sa i përket të infektuarve, nga testimi i 1,545 mostrave kanë rezultuar 199 persona pozitivë.