Nikos Kotzias theu akullin diplomatik 12-vjeçar në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Athinës. Kryediplomati grek u takua me kreun e qeverisë së Shkupit, Zoran Zaev. Në komunikatën për media të kryeministrit maqedonas thuhet se, fokusi i bisedimeve ishte e ardhmja e dy vendeve dhe gjetja e një zgjidhjeje të pranuar nga dy palët. Takimi me Zaev pasoi atë me homologun maqedonas Nikolla Dimitrov, me të cilin Kotzias zhvilloi edhe një konferencë për shtyp.

Dimitrov sqaroi se Shkupi nuk e pranon variantin për një emër të përbërë, por të pandashëm dhe të papërkthyeshëm.

Ministri Kocias u takua gjithashtu edhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, por jo me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov. Vizita e kryediplomatit grek i paraprin takimit të rëndësishëm të 30 marsit në Vjenë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara, Methju Nimiç që synon t'i japë fund konfliktit për çështjen e emrit të Maqedonisë.