Presidenti serb në një konferencë për mediat e ka cilësuar dorëheqjen Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit të Kosovës një mashtrim politik. Sipas Aleksandër Viçiç kjo lëvizje është bërë për të fituar sa më shumë popullaritet.

“Ne jemi një vend sovran, duam marrëdhënie të mira me të gjithë, por jo një tutor, nuk është puna jonë për të mbrojtur interesat e fuqive botërore, por interesat e Serbisë. Presionet në drejtim të njohjes së një Kosove të pavarur do të jenë në rritje”, tha Presidenti Serb.

Sipas tij, pas dorëheqjes së Haradinajt Serbia duhet të veprojë me qetësi, maturi dhe nuk ka asnjë eufori. Akuza sërish hodhi dhe për formimin e Shqipërisë së Madhe.

“Thelbësore dhe de facto është se Prishtina synon të vazhdojë historinë e Shqipërisë së Madhe”, theksoi Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paraqiti të premten dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.

Dhomat e Posaçme, apo siç njihen në Kosovë, Gjykata e Posaçme me seli në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtar dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.

Prokuroria e Posaçme nuk pranoi të jap ndonjë hollësi rreth ftesës për marrjen në pyetje të zotit Haradinaj që pritet të ndodhë nga mesi i javës së ardhshme.

Dorëheqja e zotit Haradinaj ndodhi në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën.

Ai u shpreh i bindur se pas dorëheqjes së tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në favor të tyre u shpreh edhe Nisma Socialdemokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës si dhe opozita që hodhi poshtë cdo mundësi të krijimit të ndonjë qeverie të re apo qeverie teknike. Çështja tani i mbetet presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të këshillohet me forcat politike në vend.