Deklaratës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç se kufijtë e Serbisë nuk mbarojnë në Jarinjë e Brnjak, aktualisht dy pikat kufitare me Kosovën, nuk u pritën mirë nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Përmes një reagimi në Facebook, kreu i qeverisë kosovare i cilësoi fjalët e Vuçiç të papranueshme dhe cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Këto deklarata janë një sulm i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si edhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon e më gjerë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës zotohem se do të ndërmarr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 Shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Të enjten, gjatë udhëtimit elektoral në jug të Serbisë, ku u ndal edhe në Bujanovc, Vuçiç tha se nuk i njeh kufijtë e Kosovës dhe se serbët duan mbrapsht atë që kanë, dhe atë që nuk e kanë dhënë.

Prej 2 muajsh, dialogu Kosovë – Serbi ka mbetur i bllokuar për shkak të taksës 100% për importet serbe nga ana e Prishtinës.