Vuçiç: Serbia do të përballet me ultimatum për Kosovën gjatë këtij viti

24/02/2020 - 10:44

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i tha të dielën televizionit proqeveritar Prva, se deri në fund të vitit Serbia do të marrë një ofertë të cilën nuk do të jetë në gjendje ta pranojë, por nuk do të guxojë ta refuzojë.

“Do të provojnë të na japin garanci për anëtarësim në Bashkimin Evropian por me kusht që ta njohim Kosovën dhe do të ofrojnë status të posaçëm për serbët në fusha të caktuara”, tha presidenti serb, duke theksuar se për këtë do të pyes pastaj qytetarët e Serbisë.

Ai tha se tre vjet më parë kishte hedhur idenë e tij për këtë çështje por nuk ishte pranuar nga serbët, duke ju referuar idesë së tij për “vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.

Në verën e vitit 2018 presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi folën për idetë e “korrigjimit të kufijve” apo “vënies së kufijve”, që nga analistët janë interpretuar si synime për shkëmbim territoresh.

Në nëntor të vitit 2018, qeveria e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia si kundërveprim ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës.

Ish kryeministri Haradinaj ka theksuar më pas në disa raste se tarifat e penguan formalizimin e ndarjes së Kosovës.

Idetë për prekje kufijsh nxitën reagime të ndara edhe në skenën ndërkombëtare. Disa nga vendet e mëdha të BE-së kundërshtuan idetë e tilla që sipas tyre mund të nxisin reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara thonë se të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi e cila “në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë”.

Në vjeshtën e vitit 2018 Beogradi u tërhoq nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian duke kushtëzuar vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave, por qeveria Haradinaj refuzoi deri në fund edhe trysninë ndërkombëtare për heqjen e tyre.

Thirrjet për heqjen e tarifave janë shtuar pas formimit të qeverisë së re të kryeministrit Albin Kurti, i cili është zotuar të bëj një gjë të tillë, por duke i zëvendësuar tarifat me masat e reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Krahas thirrjeve për heqjen e tarifave nga Prishtina, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Beogradit të pushojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, ndërmjetësoi dy marrëveshje për më pak se një muaj për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe autostradat ndërmjet të dyja vendeve.

Marrëveshjet u nënshkruan pa praninë e Bashkimit Evropian, i cili muajin e ardhshëm pritet të emërojë një të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi. /VOA

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç tha se Beogradi është i vendosur të ndihmojë serbët në Kosovë në luftën ndaj COVID-19.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 72 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut.

Mediat greke raportojnë se numri i viktimave në shtetin fqinj ka shkuar në 63 persona, katër prej të cilëve humbën jetën ditën e sotme, v

Dy vdekje të tjera që nga statistikat e fundit të qeverisë greke, ka bërë që numri i viktimave në Greqi, këtë të enjte të shkojë në 53 në

Ka shkuar në 51 numri i viktimave në Greqi si pasojë e koronavirusit.

Një pjesëtar i qeverisë serbe ka humbur jeten pasi është prekur nga koronavirusi. Bëhet fjalë për Branislav Blazic, ka qenë sekretar shte

Qeveria greke ka gati hapat konkrete për të ndihmuar mediat e vendit me një plan konkret.

Vijon të rritet numri i viktimave dhe të infektuarve nga koronavirusi në Greqi.

Në Greqi është shënuar viktima e 44-t nga koronavirusi.

Ai është një 79-vjeçar nga Ptolemaidha.

Flamuri i Maqedonisë së Veriut tashmë është ngritur në selinë e NATO-s në Bruksel, ku u shënua kështu aderimi i vendit në Aleancën Veriat