Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se “sapo të hiqet taksa”, Serbia është e gatshme t’i kthehet dialogut me Kosovën.

Vuçiç i bëri këto komente pas takimit me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell, në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

“Kemi pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë – që nuk është kurrë e lehtë për ne – por unë jam i kënaqur që Richard Grenell është aq i vendosur për heqjen e taksës”, –ka shkruar Vuçiç në rrjetin social Instagram. 

Ambasadori Grenell pritet të takojë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kështu ka njoftuar zyra e presidencës së Kosovës përmes një komunikate për media.

Takimet zhvillohen disa ditë pasi ambasadori Grenell ka kërkuar nga qeveria e Kosovës të heqë taksën e vendosur më 2018 ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, në mënyrë që të zhbllokohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.