Aleksandër Vuçiç shfaqet i dorëzuar për pavarësinë e Kosovës. Në fjalimin përballë parlamentit, kreu i presidenti serb tha se Serbia duhet ta pranojë realitetin që e ka humbur kontrollin mbi Kosovën dhe duhet të gjejë një kompromis për të normalizuar raportet me Prishtinën.

“Ne duhet të pranojmë që jemi mposhtur, kemi humbur territorin. Pas shtatë vjetësh bisedime me Prishtinën mund t’ju them se nuk kemi humbur asgjë përveç asaj që ka qenë e humbur”, tha kreu i shtetit serb.

Mosarritjen e një kompromisi me Kosovën, Vuçiç e quan një katastrofë si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Këta të fundit i ftoi ta shohin marrëveshjen si një fitore dhe të pranojnë të vërtetën e hidhur përballë gënjeshtrave të ëmbla.

Prej 6 muajsh, dialogu Prishtinë-Beograd mbetet i ngrirë si pasojë e taksës 100% që Kosova ka vendosur për importet serbe.