Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka paralajmëruar se mund të tërhiqet nga politika. Sipas mediave serbe, kreu i qeverisë, gjatë një interviste është shprehur se pas tre viteve do të tërhiqet nga politika, dhe do rikthehet në kompaninë e tij.

Ai ka pohuar se politika është një ves i rëndë teksa shton se nuk e kishte menduar kurrë se do të bëhej Kryeministër i vendit.

“Megjithatë, është një nder dhe përgjegjësi e madhe të jesh kryeministër. Unë kurrë nuk kam ëndërruar që do të isha kryeministri i vendit tim, dhe kam lindur në Murtin, kam punuar në bujqësi, kam shitur në treg. Por jeta sjell shtigje të panjohura. Kryeministri duhet të shërbejë për një maksimum prej dy mandatesh, sepse ekziston rreziku që ai të bëhet një autokrat përmes kësaj. Është një rrezik kudo, por veçanërisht në Ballkan. 

Unë jam në mandatin tim të dytë, i cili duhet të jetë deri në vitin 2024, dhe besoj se do ta përfundoj atëherë. Pastaj do të kthehem në kompanitë tona, për të bërë reklama përsëri. Politika është si një ves – është e vështirë të hysh e të dalësh. Por, sigurisht, është një nder i madh të jesh kryeministër i vendit tënd.”– ka thënë ai.