Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pas takimit të hënën në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se se ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është në interesin e askujt. Ai tha se dy shtetet duhet të vazhdojnë së bashku rrugën e integrimit evropian, apo njëkohësisht t’i nisin bisedimet për anëtarësim në BE.

“Është në interesin tonë të ecim së bashku. Interesi i Shqipërisë është të shkojmë së bashku, të ndihmojmë njëri-tjetrin së bashku gjatë gjithë këtij procesi… Ne e meritojmë nisjen e bisedimeve si askush tjetër. Gjashtëmbëdhjetë vjet jemi me statusin e shtetit kandidat, tre vjet pas Marrëveshjes së Prespës, njëqind ditë pas reformave të përfunduara. Këto, në vitin 2020, u konfirmuan plotësisht nga 27 vendet anëtare të Unionit. Ne vazhdojmë të forcojmë shtetin e së drejtës, e shohim atë çdo ditë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e cila nuk është e lehtë për asnjë qeveri në botë, nuk është as për ne, por është e ardhmja evropiane”, tha Zaev.

Javën e kaluar, komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut, apo që shteti ynë t’i nisë e para bisedimet e anëtarësimit në BE, edhe pse zyrtarë të lartë evropianë disa herë kanë theksuar se dy shtetet duhet në bllok t’i hapin bisedimet e anëtarësimit.

Në nëntor të vitit të kaluar, Sofja ka përdorur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar me zgjidhjen e dallimeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin maqedonas ku Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut të pranojë se gjuha dhe identiteti maqedonas para vitit 1945 të ketë rrënjë bullgare, gjë që kundërshtohet fuqimisht nga maqedonasit.