Kuvendi i Maqedonisë me 81 vota pro miratoi ndryshimet kushtetuese duke zyrtarizuar emrin e ri të shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut. Deputetët me shumicë votash kanë miratuar amendamentet 33, 34, 35, 36 të propozuar nga Qeveria dhe partitë propozuese.

Pas tre ditëve të seancës së caktuar, Kuvendi sot mbylli votimin, duke pranuar edhe propozimet e dy partive shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, që kanë të bëjnë me ndryshime në Preambulë, në pjesën e shtetësisë si dhe përkujdesjen për diasporën. Përmes këtyre propozimeve janë pranuar disa nga kërkesat e partive shqiptare, informon INA.

Amendamentet ishin pjesë e Marrëveshjes së emrit të firmosur në Prespë qershorin e kaluar midis Athinës dhe Shkupit. Me këtë emri Republika e Maqedonisë ndryshohet në Republika e Maqedonisë së Veriut.