Rama-Vuçiç, batuta e diskutim për Ballkanin: Bashkëpunimi shqiptaro-serb e vetmja rrugë për rajonin

01/09/2015 - 08:49

1 shtator 2015 - Në një përballje televizive në studion e emisionit “Fqinjësia” (Okruzenje), regjistruar në Vjenë pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar lidhur me perspektivën e dy vendeve në Bashkimin Evropian. Sa i përket Kosovës, ata ndanë qëndrime të ndryshme. Kryeministri Rama kritikoi Bashkimin Evropian se Kosova është i vetmi vend që nuk lëviz lirshëm në BE, ndërsa kryeministri Vuçiç u shpreh se nuk mund të ndryshojë qëndrimin e tij për statusin. Të pyetur nga gazetarët, nëse Shqipëria e Madhe është ende një nocion i gjallë, Rama tha se tashmë flitet për Union Ekonomik, ndërsa Vuçiç u shpreh se askush nuk dëshiron të shohë Shqipërinë e Madhe.

Zoti Rama dhe zoti Vuçiç, a mund të kompensojmë këtë çerek shekulli dhe nëse mundemi të kompensojmë shumë mundësi të humbura në disa dekada të fundit? 

Edi Rama: Besoj që kemi mjaftueshmërisht përgjegjësi për të mos u vonuar sot dhe nuk mund të mbajmë përgjegjësi edhe për 25 vjet përpara. Edhe pse ka të drejtë kur thotë që kjo që ndodh sot do të kishte qenë mirë të kishte ndodhur 25 vjet përpara. Por tani ajo çfarë ne duhet të bëjmë është që pas 25 vjetësh të mos qajmë faktin që në 25 vjet që tani e deri atëherë, nuk bëmë atë që duhej.

Aleksandër Vuçiç: Do të ishte shumë më mirë që të kishim biseduar shumë më përpara, por nuk e kam shumë problem që një pjesë të fajit ta mbaj edhe personalisht dhe çdo gjë tjetër ta pranoj. Por do t’i referohem një fjalie të Voja Zhanetiç dhe ajo është: “Të gjitha të tjerat i kemi provuar!” Pse po e them këtë? Sepse e di që edhe në Shqipëri ka shumë prej atyre që duan të bëjnë si të mençur dhe t’i thonë Ramës sesi nuk është dashur të udhëheqë një politikë të tillë, ashtu edhe në Serbi ka shumë të atillë që do të thonë se si unë jam ulur dhe po flas me të duke nënçmuar Serbinë ose kam bërë kush e di se çfarë, do të ketë të atillë gjithmonë edhe në të ardhmen. Pasi i kemi provuar të gjitha dhe kemi parë sesi dhe se sa i keq ka qenë rezultati, tani do të punojmë dhe do të përpiqemi në një mënyrë tjetër, duke i respektuar ata, por para së gjithash duke respektuar veten dhe popullin tonë. Unë kam qenë dhe do të mbetem serb dhe jam krenar për këtë që jam, ashtu si Rama që do të jetë gjithmonë shqiptar krenar.

Sa keni ecur, zoti Rama me zyrën për të rinjtë? Në Samitin e Vjenës është paralajmëruar. Ku jemi tani, në cilën fazë? 

Rama: Ne nuk e kemi shpikur këtë nismë. Besoj që ne themi gjënë e duhur, kur themi që; Shqipëria dhe Serbia, por edhe shqiptarët dhe serbët në tërësi mund të bëjnë për Ballkanin atë që francezët dhe gjermanët bënë për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. Bashkëpunimi rinor ishte një nga instrumentet e atij procesi historik, që solli formësimin e Bashkimit Evropian. Ne, mbi bazën e kësaj eksperience kemi vendosur që të vëmë në jetë këtë mekanizëm, por nuk është vetëm ky. Ne kemi folur edhe për Unionin Ekonomik, në mënyrë që realisht të zgjerojmë tregun, sepse, në qoftë se flasim për infrastrukturë dhe për rrugë, fjala vjen, rrugën Nish-Prishtinë-Durrës, atëherë duhet të jemi të përgatitur që ajo rrugë të jetë një rrugë pa barriera tarifore dhe që të jetë një rrugë ku jo vetëm njerëzit, por edhe mallrat qarkullojnë lirisht. Pra, midis nesh të ndërveprojmë si në Evropë.

Vuçiç: Serbia dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar ngushtë për këtë. Rama dhe unë kemi biseduar shumë herë për këtë. Ajo që më duhet të them është se Edi e tha këtë. Ai është politikan global, unë jam lokal. Jam i interesuar për diçka që është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë. Është fakt se shqiptarët kanë pasur në një kohë të konsiderueshme, dhe Edit nuk do t’i vijë keq për këtë, qëndrim racist ndaj serbëve. Serbët gjithashtu kanë pasur qëndrim racist ndaj shqiptarëve. Në mënyrë që kjo të ndryshojë, ne duhet të njihemi, ne duhet të punojmë me njëri-tjetrin. Duhet të përpiqemi të kuptojmë se flasim për dy popujt më të shumtë në Ballkanin Perëndimor. Ne jemi dakordësuar të shkëmbehemi mes njëri-tjetrit. Të rinj shqiptarë të vijnë të punojnë në Serbi, dhe ne një pjesë të zyrtarëve tanë t’i dërgojmë në Tiranë, që të njohim më mirë njëri-tjetrin.

Zoti Vuçiç a keni të dhëna se serbët do të përgatisin ndonjë befasi si ajo e dronit në Beograd? 

Vuçiç: Jam i sigurt, shpresoj që jo, shpresoj që atë dozë të shpikjes nuk duam ta tregojmë. Por do të them që Rama më ka ftuar në atë ndeshje dhe nëse nuk do të kem ndonjë punë shumë të rëndësishme, unë do të shkoj në Tiranë, respektivisht në Elbasan dhe të shkojmë bashkë në ndeshje. Unë me shallin serb ngjyrë të kuqe, bardhekaltër, kurse ai me atë shqiptar, kuqezi.

Dhe të shikojmë 90 minuta deri në fund apo jo? 

Vuçiç: Po, por pas kësaj të merremi vesh sesi serbët do të ndërtojnë hotele në Durrës, të merremi vesh sesi do të eksportojmë edhe ca gjëra në Shqipëri. Dhe si do të vijnë ata edhe më shpesh në Serbi dhe turistët tanë të shkojnë edhe më tepër në Shqipëri etj. Kjo është e rëndësishme për ne.

Sa mendoni që ka arritur elita politike që  ballafaqohet me të kaluarën? 

Vuçiç: Nëse në të gjithë do të fillojmë të flasim për atë se çfarë i marrim për të keq njëri-tjetrit, që nga Perandoria Osmane, Lidhja e Prizrenit, 1914, 1945, etj, kurrë, asnjëherë, askund nuk do të arrinim. Ne po bisedojmë, tashmë edhe më shpesh, si një detyrim ndaj popujve tanë të cilët i udhëheqim. Ne bisedojmë se si të avancojmë ekonomitë tona. Ky është pajtimi më i mirë i mundshëm. Flasim dhe për ta kaluarën, por çdo politikë tjetër është zgjidhje e keqe.

Si mund të zgjidhet çështja e Kosovës?

Vuçiç: Ne flasim edhe me përfaqësuesit e Prishtinës. Ne këtë e quajmë dialogu i Beogradit dhe Prishtinës, ata e quajnë të Kosovës dhe Serbisë. Kemi nënshkruar marrëveshje të rëndësishme në Bruksel. Askush nuk ka arsye të festojë për këtë, e as dikush tjetër të mërzitet. Nëse nuk e bëjmë këtë çfarë duhet të bëjmë tjetër, të marrim shkopinjtë dhe pushkët e do të vrasim miliona shqiptarë? Apo ata të thonë se do të vrasin edhe më shumë miliona serbë? Ç’kuptim ka nëse nuk shkojmë të merremi vesh e të bisedojmë? Kjo është zgjidhja e vetme e mundshme. Ndryshe do të jemi të humbur edhe politikisht e dhe ekonomikisht. Kjo është një rrugë e gjatë dhe do të ngelet e tillë. Qëndrimet tona për këtë çështje janë të ndryshme. Rama konsideron se Kosova është e pavarur, ne i konsiderojmë gjerat krejt ndryshe. Por ne bisedojmë. Unë nuk shoh problemet mes shqiptarëve dhe serbëve si problemin më të madh të Ballkanit Perëndimor.

Cili është qëndrimi juaj zoti Rama për çështjen e Kosovës?

Rama: Është shumë e qartë që ka një mosdakortësi të plotë mbi këtë çështje, për sa i përket statusit të Kosovës, por ajo që ka rëndësi është që kjo mosdakortësi, nuk është më si përpara disa kohësh, një arsye për të qenë barrikada kundër njëri-tjetrit, por është një aspekt që na ndan, pa na penguar që të bashkëpunojmë. E faktikisht, vazhdojnë të hidhen hapa konkretë në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, që janë hapa që shkojnë në të mirë të një procesi që do të ketë kohën e vet. Nga ana tjetër, unë dua të përfitoj nga rasti, jo për të folur këtu sot pse Serbia nuk njeh Kosovën, por për të thënë një gjë tjetër, pse Kosova sot është i vetmi vend dhe i vetmi popull pa të drejtë për të lëvizur lirisht në BE. Në këtë aspekt nuk është përgjegjësia e Serbisë, është përgjegjësia e BE-së. Është një turp dhe është një padrejtësi që BE-ja mban mbyllur atje brenda një popull, që është i vetmi popull në Evropë që nuk lëviz dot pa vizë.

Zoti Rama, a është pas koha kur fqinjët e Shqipërisë kanë konsideruar se Shqipëria e Madhe është projekt të cilin duhet ta kundërshtojnë, a është projekti i Shqipërisë së Madhe ende i gjallë? 

Rama: Jemi këtu duke diskutuar për një Union Ekonomik, i cili do të transformojë të gjithë hapësirën tonë të përbashkët, Serbia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja, në një hapësirë pa asnjë barrierë, njësoj siç është hapësira midis Gjermanisë, Italisë, Francës, brenda BE-së. A ka kuptim që të vazhdohet të flitet për “Shqipërinë e Madhe” në këto kushte, kur jemi në një botë krejtësisht tjetër, në një kohë tërësisht tjetër dhe kur mundësitë për të qenë bashkë janë tërësisht të tjera?! Unë besoj që të gjitha këto mite të së shkuarës janë ushqim për barkun e një nacionalizmi primitiv që nuk ka lidhje fare me botën që meritojnë të rinjtë që sot zgjedhin të ikin, apo që qëndrojnë dhe nuk kanë akoma atë që meritojnë.

Vuçiç: Unë e respektoj kryeministrin Rama. Ndoshta atij i dalin deklarata të tilla ndoshta dhe për shkak të zgjedhjeve lokale. Ai e do Shqipërinë në BE, dhe kjo është gjëja që ne besojmë. Askush nuk do të shikojë Shqipërinë e Madhe, as Kroacinë e Madhe, as Serbinë e Madhe. Njerëzit normalë kërkojnë ekonomi të shëndetshme, shtete të shëndetshme. Me ndërtimin e autostradave, për ne Durrësi do të jetë porti më i afërt, dhe kjo është një nga lajmet më të mira për ne. Edhe energjetikisht jemi dukshëm të lidhur, e këto janë gjërat që të bisedojmë.

Rama: Nuk është se unë kam bërë një deklaratë se ishin zgjedhje. Unë kam besuar dhe besoj se ëndrra e shqiptarëve për të jetuar bashkë është legjitime. Por, në shekullin e sotëm këtë ëndërr nuk duhet t’ia u lëmë në dorë forcave që ushqehen me mitet e së shkuarës. Këtë ëndërr duhet ta realizojmë si një ëndërr evropiane dhe të jetojmë së bashku, dhe jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe me serbët, edhe me kroatët, edhe me malazezët, në BE. Rruga e BE-së është dhe rruga e bashkimit mes nesh si shqiptarë, dhe së bashku me të tjerët. Ajo që unë kam thënë dhe unë e them prapë, nëse BE nuk do të jetë strategjike me Ballkanin dhe nuk do t’ua bëjë të mundur popujve të Ballkanit që të jetojnë së bashku me njëri-tjetrin, serbët të ndjejnë se janë bashkë, pavarësisht se mund të kenë kufij sot administrativë, shqiptarët të jenë bashkë, pavarësisht se mund të kenë kufij administrativ, atëherë sigurisht që forcat e së shkuarës, mitet e së shkuarës janë gati të rikthehen dhe të na tejkalojnë ne që jemi shumë qartësisht të pozicionuar për një Shqipëri evropiane, për një Serbi evropiane, Ballkan evropian. Kjo është bindja ime.

Vuçiç: Kur zoti Rama flet për Bashkimin e shqiptarëve, qoftë edhe në BE, gjithmonë të lë dyshimin se kjo ide për të ardhmen ekziston. Këto disa ëndrra të dikujt, për ne të tjerët mund të shndërrohen në ankth. Duhet të jemi shumë-shumë të kujdesshëm kur i themi këto gjëra. Un si kryeministër nuk kam fol për ëndrrat e serbëve, të cilët i kanë pasur gjithmonë. Kur flasin për këtë nuk është në pyetje vetëm Serbia e cila është e lënduar, por edhe Maqedonia, Mali i Zi, etj. Problemi i Kosovës e ka tashmë një kornizë, dhe dialogu i cili po vazhdon, na mundëson që të merremi me tema të tjera.  /Shekulli

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: