Ritme të larta të punimeve në pishinën e Durrësit

09/07/2015 - 09:22

9 korrik 2015 - Punimet për rikonstruksionin e plotë të pishinës së qytetit po ecin me ritme të larta. Sipas inxhinierëve të firmës ‘Al-Asfaltsh.p.k’, zbatuese e këtij projekti, deri tani ka përfunduar rreth 35 % e volumit total të punimeve në kantierin e hapur. Investitor në projektin për rikonstruksionin e plotë të pishinës është Bashkia e Durrësit, e cila ka akorduar një fond limit prej 39 600 120 lekësh.

Projekti është parashikuar të kalojë në dy faza, dhe afati i përfundimit të punimeve është 150 ditë nga dita e fillimit të punimeve më 15 qershor.

Faza e parë e punimeve parashikon ngritjen e një impianti krejtësisht të ri të ujit të pishinës, duke përfshirë këtu dhe sistemin e filtrimit të ujit, veshjen e pishinës me liner sipas standardeve të kërkuara europiane, vendosjen e starterave, ndarjen e korsive, rindërtimin e shkallëve për shikuesit, sistemimin e territorit të brendshëm të pishinës me pllaka guri etj.

Ndërsa, faza e dytë parashikon një sërë punimesh të tjera si vendosjen e stolave plastikë, dhomat e zhveshjes, rrethimin e jashtëm dhe të tjera punime që do t’i japin një pamje krejt tjetër pishinës së Durresit.

Gjithnjë sipas inxhinierëve zbatues të projektit, faza e parë e punimeve pritet të përfundojë brenda muajit gusht.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: