Rrëfimi nga burgu i Jaho Mulosmanit: E vërteta ime për vrasjen e Hajdarit

12/07/2014 - 10:47

Tiranë, 12 korrik 2014– Gazetarja Mira Kazhani e gazetës “Dita” ka intervistuar në burg, Jaho Mulosmanin, të dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e deputetit Azem Hajdari. Kjo është e para intervistë-video e Mulosmanit pas 14 vitesh në qeli.

 “…Të gjithë flasin sot, Azemi, Azemi por kurrrkush nuk e çon në fund atë. Askush nuk bën përpjekje ta zbardhur vrasjen e tij. Nuk ishim aty për ngjarjen që ndodhi as për ndonjë të mundshme sic aludohet ndonjëherë. Po kërkonim të sqaronim diçka. 10 ditë para babai i Fatmirit kish taku Azemin me kërkesë të këtij të fundit,. Babai i Fatmirit e ka regjistru të gjithë bisedën. Aty dëgjohet Azemi që ka lyp me ardh me jetu në Tropojë, dhe ka shfajësu veten për vrasjen e Shkëlqimit (vëllai i Fatmir Haklaj). Azemi në të gjitha mënyrat e mundshme ka shfajësu veten duke thënë se ai nuk kish lidhje me atë vrasje, dhe ka fol dhe disa gjëra të tjera për të cilat nuk është momenti me fol sepse kur nuk t’i merr askush për baze nuk kanë vlerë të thuhen… – thotë fillimisht Mulosmani, asokohe shef antikrim i Tropojës, në pjesën e parë të intervistës ku flitet për vrasjen e deputetit.

Mira Kazhani: Ekziston ajo kasetë edhe sot?

Jaho Mulosmani: Po po, kaseta ekziston. Azemi ka fol plot gjëra edhe brenda zyrave të PD, po më së shumti ai donte të shfajësohej dhe të vinte i qetë në Tropojë.

Mira Kazhani: Ju nuk e tregoni emrin e mikut që donit të takonit atë ditë? E kurseni atë emër edhe pse vetë jeni i dënuar përjetë për një krim që nuk pranoni ta keni kryer. Kaq bujar jeni?

Jaho Mulosmani: Ai ka jetën e tij tashmë. Kur të vijë momenti dhe kur të kuptoj se duan vërtet ta zbardhin ngjarjen, normal që do ta them. Normal që edhe ai do të merret në pyetje. Kërkonim të merrnin nga ai një opinion sesa e vërtetë është fjala e këtij dhe sa ishte fjala e të tjerëve. Dhe që të jem i sinqertë për vëllain e vrarë të Fatmirit, dyshimet dhe akuzat kanë qënë për Berishën dhe Azemin. Janë akuzu zyrat e PD. Sepse në orën 4 ndodhi vrasja në Tropojë dhe ne atje, në Tropojë u njoftuam nga selia e PD në Tiranë. Fatmiri e mori vesh nga Tirana, kur ngjarja kish ndodhur 2 km larg qytetit në vijë të drejtë. Aq afër sa mund të ndiheshin edhe krismat!

Mira Kazhani: Kërkoi atë ditë Fatmir Haklaj të takohej me Berishën ose Azemin?

Jaho Mulosmani : Jo fare, as atë ditë dhe asnjë ditë nuk ka kërkuar t’i takojë. Unë e kam thënë edhe në sallë të gjyqit, ai për mua ishte një incident. Pse u desh që ne të vinim aty, me një makinë të bënim një vrasje dhe të shkonim në Tropojë? Unë isha shef krimesh, kisha një komisariat në dispozicion, pse u desh të vija të bëja një vrasje në Tiranë para PD? Nëse ishte diçka me paramendim mund të kishim gjet një mënyrë tjetër.

Mira Kazhani: Vinte në Tropojë Azemi lirisht?

Jaho Mulosmani: Po vinte krejt lirisht. Dhe sikur të mos vinte, ai lëvizte nëpër rrugët e Shqipërisë krej lirshëm, e kishe gjithë ditën rrugëve. Mua kush më ndalte të shkoja ta gjeja kudo?

Mira Kazhani: Atë ditë komunikuat, patët një bisedë me zotin Hajdari?

Jaho Mulosmani: Ky është një tjetër manipulim i madh. Një manipulim edhe në gjyq. Po për gjyqin e dinë të gjithë që ishte një manipulim. Ju do thoni, pse nuk i thatë në gjyq ato që dini? Nuk i thashë sepse e kam dit prej fillimit sesi do ishte fundi. Nuk e pashë të arsyeshme të flisja. Unë kam pa shumë e dëgjuar, por një emision për çëshjtjen Hajdari më ka lënë shije të hidhur, një Opinion nga Blendi Fevziu. Kam shumë informacion edhe për mënyrën sesi dhe pse u bë ai emision. Por nuk dua të flas sot.

Mira Kazhani: Po pse të mos i themi sot? Cfarë informacionesh keni ju?

Jaho Mulosmani: Dalin kolegë të tu dhe bëjnë ekspertin e armëve, kur s’kanë mundur ta bëjnë këtë profesionistët, ekspertët më të mirë që ka pas prokuroria e përgjithshme, ta bëj një gazetar që s’ka prek armë me dorë?! Pak rëndësi ka… Se më vonë e kish pranuar edhe ai vetë me një të afërm timin, që nuk ishte e vërtetë si e tha ai historinë por s’ka lidhje ajo punë. Gjërat sqarohen avash-avash. Aty lihej të kuptohej se ne kemi shkuar me paramendim. Por nuk është ashtu. Ne donim të takonim personin X, ta thashë nuk është etike t’i përmendim emrin tani që ai ka një jetë të përditshme, ka jetu e punu edhe gjatë kohës së pushtetit te atyre me ata. Ai ka qënë njeri dashamirës edhe i joni edhe i Azemit e të tjerëve. Ai ka dash me bë ndërmjetësin për diçka të mirë. Ka dash të bëj diçka të mirë.

Mira Kazhani: Atëherë çfarë ndodhi?

…Azemi atë ditë ka dalë nga zyrat e PD dhe ka ardh drejt nesh. Ma thuaj ti… Ti je në makinën tënde, rri e pret dikë tjetër. Unë kam qënë civil sikur jam edhe sot. Po vetëm këmisha ka qënë blu në atë kohë, (sot ka veshur një këmishë ngjyrë pink). Nuk kisha as armë në trup, nuk e mbaja për shkak të kostumit atë ditë.

Mira Kazhani: Ju pa armë në ato kohë?! Si është e mundur?

Jaho: Jo pa armë, jo. E mbaja në makinë por nuk e kisha në trup. Fatmiri po, kishte armë në trup. Ai ishte punonjës i policisë. Vërtet ishte ulur në gradë por ka qënë punonjës dhe e mbante. Ai (Azemi) vjen me pistoletë silenciator. Tash çfarë duhet të mendonte Fatmiri, të ma tregojë dikush mua? Një person që deri dje e ke akuzu për vëllain dhe sot ai të drejtohet me armë? Për këtë them unë që aty ka qënë incident. A e thirri kush Azemin të dal? Ne s’e thirrëm! As miku i përbashkët nuk e ka thirr…

Mira Kazhani: Pse doli Azem Hajdari. Kush e thirri? Cfarë informacionesh keni ju?

Jaho Mulosmani: Unë e di të vërtetën!

Mira Kazhani: Të vërtetën tuaj…

Jaho Mulosmani: Dihet ajo. E dinë të gjithë në PD dhe nuk flet askush me zë. Askush nuk tregon që atë ditë Azemi ka qënë në drekë në Lushnje. Ka ngrënë drekë me ca djem që mbaheshin si për të fortë në Lushnje. Ka qënë edhe me Genc Pollon atje. E ka thirr doktori në telefon. Fillimisht ka qënë me doktorin ku kanë mbaru mitingun në Fier dhe janë nda, më pas krejt papritur doktori e ka marr dhe i ka thënë hajde urgjent në Tiranë. Pse nuk ja tha këtë në Fier? Ata ishin bashkë! Pse nuk ja tha dy orë përpara?

Mira Kazhani: Pse e thirri sipas jush?

Jaho Mulosmani: Atë e di ai. Kush e thuri intrigën? Këtë është dash me e zbulu prokuroria. Unë s’e kam mohu ndonjëherë se kam qënë në vendngjarje.

Mira Kazhani: Sa orë qëndruat aty?

Jaho: Gjysëm ore… Tani i rikthehem sërish pyetjes: çfarë duhet të mendonte Fatmiri kur dikush i vjen me armë në dorë gati me qëllue. Një deputet i parlamentit që mban pistoletë me silenciator dihet pse e mban. Pse nuk e kishim ne një të tillë me vete? Unë kisha në shtëpi 3 ose 4 copë po s’i mbaja me vete.

Mira Kazhani: Ju jeni shprehur se keni disa gjëra për t’i thënë zotit Berisha por do ja thoni vetëm në sallën e gjyqit. Ai nuk erdhi kurrë të dëshmojë, dhe sot që flasim ndoshta ajo seancë nuk do bëhët kurrë….

Jaho: Kurrë mos thuaj kurrë! Janë disa gjëra teknike që nëse nuk shqyrtohen nga hetues të mirë kot sa i thua se shumica thonë, po kërkon të shfajësohet. Ndoshta edhe kur të shikojnë këtë intervistë do thonë : – Asht ka shfajsohet! Unë nuk dua të shfajësohem. Kam bërë 14 vjet burg. Do të bëj edhe më. S’kam më interes të shfajsohem. Por të gjitha ata që e kanë dash vërtet Azemin, duhet me lyp me u hetu çështja…

/gazeta “Dita”/ 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: