Sekret industrial investimet nga Dubai në portin e Durrësit?

25/09/2014 - 21:03

  • Arabët “i mbyllin gojën” zyrës së shtypit të Kryeministrit për takimin me z. Edi Rama dhe njëkohësisht i bëjnë reklamë kësaj ngjarjeje në mediet e Lindjes së Mesme

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 24 shtator 2014 –  Mister dëshira e biznesmenëve dhe zyrtarëve arabë nga Dubai për mospublikim në mediet shqiptare të vizitës së tyre, por që e mediatizuan në atdheun e vet; heshtja e Kryeministrit z. Edi Rama; fotoja e kryedoganieres shqiptare znj. Elisë Spiropali nga porti i Durrësit dhe pse ministri Edmond Haxhinasto deklaron se ky i fundit “iu përgjigj interesit të Autoritetit Portual të Dubait, një nga portet më të mëdhenj në botë, për zhvillimin e Portit të Durrësit si port me potenciale të mëdha”, kështu “Dyrrah”-u zbulon një rast interesant të heshtjes.

NË PORTIN E DURRËSIT DHE FOTOJA E KRYEDOGANIERES  

Një delegacion nga Dubai i Emirateve të Bashkuara Arabe, gjatë qëndrimit dyditor në Shqipëri, vizitoi të hënën, më 22 shtator 2014, pasdite, portin e Durrësit, ku në takim ishin të pranishëm, përveç drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës z. Selim Belortaja edhe drejtorja e Përgjithshme e Doganave znj. Elisë Spiropali, kryetari i degës së doganës së Durrësit, ish-deputeti z. Edison Konomi etj.

Një zyrtar i APD-së i tha “Dyrrah”-ut se delegacioni nga Dubai dhe shefat nga Tirana kërkuan të mos bëhej asgjë publike pa u arritur një marrëveshje konkrete.

Është interesante se jo vetëm portali i APD-së, por as portali i doganave nuk kanë dhënë njoftim zyrtar, kurse znj. Spiropali editoi në FB një foto të saj me tekstin: “Sot [më 22 shtator 2014] në Portin e Durrësit me Drejtorin e Doganës së Dubait, në një vizitë ku shkëmbyem ide për investime të reja në infrastrukturën e Portit dhe Doganës” [shih poshtë faksimile nga FB-u ], por që kreu i administratës doganore shqiptare nuk ia dinte emrin homologut të saj nga Dubai!

HAXHINASTO, DALJA PA DASHJE E SEKRETIT

Me sa duket, afaristët dhe zyrtarët shtetërorë nga emirati i pasur në bregdetin juglindor të Gjirit Persik të Lindjes së Mesme, mund të jenë shqetësuar nga pohimi më 22 shtator 2014 se:

“Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto takoi sot [më 22 shtator 2014] z. Sultan Ahmed bin Sulayem, Presidenti i kompanisë  DP World nga shtetit i Dubait si dhe delegacion që e shoqëronte [shih foton poshtë - “Dyrrah”-u].

Ministri dhe përfaqësuesit nga Dubai diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, kryesisht në sektorin e transportit detar.

Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve si dhe bëri një prezantim të projekteve kryesore në sektorin e transportit dhe infrastrukturës ku përmendi Korridorin VIII, sektorin hekurudhor dhe atë portual.  

Ai iu përgjigj interesit të Autoritetit Portual të Dubait, një nga portet më të mëdhenj në botë, për zhvillimin e Portit të Durrësit si port me potenciale të mëdha. Delegacioni nga Dubai gjatë qëndrimit dy ditor në vendin tonë do të vizitojë nga afër Portin e Durrësit dhe të Shëngjinit”.

Ky lajm u dha nga mediet shqiptare që e bënin fakt të kryer se Dubai do të bënte transformonte transportin shqiptar.

Ndoshta, ky mediatizim ka detyruar delegacionin e kryesuar nga SHT Sulltan Ahmed bin Sulayem, një prej njerëzve të fuqishëm të Dubait, por personalitet me ndikim në biznesin botëror të transportit, të kërkojë heshtje shtypi jo vetëm në Durrës, por dhe nga zyra e shtypit të Kryeministrit.

LAJMIN NGA TIRANA TA MËSOSH NË GJIRIN PERSIK

“Dyrrah”-u ka zbuluar se portali i kompanisë  DP World, në orën 12:30 (koha e Shqipërisë), që u përsërit dhe nga portali jordanez i lajmeve dhe blogimeve  Al Bawaba të japë lajmin “Presidenti i  DP World takohet me Kryeministrin shqiptar”, kurse portali i Kryeministrisë Shqiptare, edhe më 24 shtator 2014 nuk flet për ndonjë takim të z. Rama me delegacionin nga Dubai.

Kësaj i thonë ta kapësh veshin mbrapsht: lajmin nga Tirana ta mësosh në Gjirin Persik!

Në lajmin “arab” kumtohet se “vizita dyditore e SHT bin Sulayem dhe e delegacionit përfshinte takime me Ministrin shqiptar të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe znj. Elisë Spiropali, drejtor e përgjithshme e Doganave, për të eksploruar rrugët e nxitjes së tregtisë dhe për të ndarë përvojën e Emirateve të Bashkuara Arabe në zhvillimin e shpejtë të infrastrukturës”, por injorohej lajmi propagandistik i Haxhinastos.

Teksti i njoftimit nga Dubai

Presidenti i  DP World takohet me Kryeministrin shqiptar

Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, 23 shtator 2014 – Presidenti i [kompanisë]  DP World, SHT Sulltan Ahmed bin Sulayem takoi Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të diskutuar mbi fushat e bashkëpunimit në të ardhmen dhe për të forcuar marrëdhëniet ekzistuese të ngrohta ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kryeministri shqiptar i uroi mirëseardhjen delegacionit të  DP World-it dhe të Doganave të Dubait, duke lavdëruar ekspertizën e  DP World në zhvillimin dhe menaxhimin e porteve dhe terminaleve detare në të gjithë botën dhe rolin që luan në zhvillimin e e komuniteteve, në të cilat operon [kompania]. Ai tha se ishte një model për t’u ndjekur në sektorin e transportit detar.

Vizita dyditore e SHT bin Sulayem dhe e delegacionit përfshinte takime me Ministrin shqiptar të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe znj. Elisë Spiropali, drejtor e përgjithshme e Doganave, për të eksploruar rrugët e nxitjes së tregtisë dhe për të ndarë përvojën e Emirateve të Bashkuara Arabe në zhvillimin e shpejtë të infrastrukturës.

Delegacioni vuri në dukje se në Dubai ka integrim si një të tërë të doganave, logjistikës, zonave të lira dhe porteve, të cilat janë të rëndësishme për ekonominë e tij të suksesshme, dhe se ky [integrim] ishte shembull i zbatimit të suksesshëm të vizionit të Lartësisë së Tij Sheikut Mohammed Bin Rashid Al Maktoum, zëvendëspresident i Emirateve të Bashkuara Arabe, Kryeministër dhe Sundimtar i Dubait.

Presidenti i  DP World-it, SHT Sultan Ahmed Bin Sulayem, tha:

“Ishte një nder që patëm rastin të diskutonim mbi aspekte të interesit të ndërsjellë me Qeverinë shqiptare. Vendi ka nisur reforma të mëdha për rritjen ekonomike nëpërmjet investimeve të huaja, sigurimin e punësimit për një fuqi punëtore në moshë të re dhe promovimin e industrive specifike. Patëm kënaqësinë të ndanim përvojat tona në këto fusha. Vendet që kërkojnë të zhvillojnë ekonomitë e tyre ndjekin me vëmendje përvojën pioniere të Emirateve të Bashkuara Arabe, përvojë, e cila karakterizohet nga larmia ekonomike, nxitjen e tregtisë dhe investimeve dhe zgjerimin e sektorit të shërbimeve”.

Ai vlerësoi zhvillimin e fuqishëm në marrëdhëniet tregtare midis Dubait dhe Shqipërisë, duke theksuar faktin se tregtia midis Dubait dhe Shqipërisë u rrit 130 për qind në 6-mujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me 39 për qind në të njëjtën periudhë të vitit 2013.

MULTIMODALITETI

Për shkak të pozicionit strategjik të portit detar të Durrësit,  DP World-it, i intereson ndoshta të marrë një terminal këtu (nuk dihet nëse dëshiron të blejë koncesionin aktual turk të kontejnerëve; Terminalin Perëndimor ende të paprivatizuar apo të ndërtojë një  hub në ish-kënetë për depozitimin e kontejnerëve. Kjo do ta bënte portin e Durrësit më konkurruesin, jo vetëm në Adriatik, por ndoshta dhe në Mesdhe, po t’i referohemi një studimi amerikan fizibiliteti të vitit 2001 për një terminal multimodal: Bregu Lindor i SHBA-Durrës-Varna-Deti i Zi-Kinë, ku “produkti” i transportit me kontejnerë arrin shifrën e 500 miliardë dollarë në vit).

Këto mund të jenë sekrete industriale, që SHT bin Sulayem, miku i të famshmit Donald Trump dhe VIP-ave të tjerë të mëdhenj botërorë, nuk dëshiron t’i bëjë publike.

Info

DP World-i ka një portofol prej 65 terminalesh detare në gjashtë kontinentet, përfshirë edhe zhvillimet e reja në vazhdim e sipër në Indi, Afrikë, Evropë dhe Lindjen e Mesme [shih hartën e vendndodhjes së terminaleve foto njërit prej tyre].

Përpunimi  i kontejnerëve është biznesi kryesor i kompanisë dhe gjeneron më shumë se tre të katërtat e të ardhurave të saj.

Në vitin 2013 përpunoi 55 milionë njësi kontejnerike (TEU).

Kapaciteti pritet të rritet në më se 100 milionë TEU deri në vitin 2020, në përputhje me kërkesat e tregut.

Kompania ka të punësuar 30 000 veta në mbarë botën.

/ agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: