Pas pesë ditësh të kaluara në det, rreth 50 milje larg Durrësit, sasia e peshkut e kapur e ka demoralizuar peshkatarin e ri.
Arturi duhet të mbajë familjen, por me këtë zanat po e ka gjithnjë e më të pamundur.
“Nuk jam i kënaqur, sepse do iki të shes këtë peshk dhe nuk nxjerr dot as lekët e naftës, me aq sa ka shkuar nafta. Kam dy kalamaj në shtëpi, akoma s’i kam parë. Ia vlejnë këto pesë ditë në det për kaq peshk? Këtu 300 mijë lekë peshk janë. Nuk kam më se çfarë të bëj. Do e mbyll fare dhe s’dal më!”,– thotë ai.
Të njëjtin shqetësim ngre edhe peshkatari i vjetër, Aleksandër Zhuka, që prej gati 45 vitesh punon në këtë sektor. Ai po shkon të mbledhë rrjetat paraditen e sotme, por gjithnjë e më shumë ndihet pesimist për të ardhmen e profesionit të tij.
“Shumë, shumë dobët. Çdo vit duke ardh e duke u bërë më keq. 5 vitet e fundit kanë qenë skandal fare. Është një sezon që ne gjuajmë sepien. Duhet me marrë gazetarët, kur të bjerë një sepie tek rrjeta duhet me i thënë: Hajde shikoni se ka rënë një kokërr sepie. Të dalësh në det, të punosh 3-4 ditë të mos çosh 30-40 mijë lekë në shtëpi është gjynaf. Po na ra ndonjë ftere (tigan) peshk me çu në shtëpi mirë, po s’ra nuk di ça të them. Çdo vit t’u u bë më keq”.
Rritja që ka pësuar çmimi i naftës për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme rrezikon ta çojë në kolaps flotën e peshkimit në Durrës. Për kreun e sindikatës së peshkimit, Klodjan Kapiti, situata është shumë shqetësuese.
“Rritja e çmimit të naftës ka impakt të drejtpërdrejtë dhe negativ në funksionimin e flotës. Mund të themi që e bën të pamundur funksionimin e punës në det për gjuetinë dhe zënien e peshkut. Flota hyn gradualisht në një kaos. Sot kishte shkuar 1000 lekë çmimi, plus 200 lekë TVSH është e pamundur të përballohet. Çmimi i naftës që flota të funksionojë është 600 lekë për litër”.
Me ngrohjen e motit, peshku largohet nga bregu drejt thellësisë, gjë që e vështirëson edhe më shumë punën e njerëzve të detit. Në pamundësi për të përmbushur të gjitha kërkesat e restoranteve të peshkut në Durrës, klientëve jo rrallë herë u serviret peshk importi.
Ndërsa nafta në karburante dhe distributorë vijon rritjen, sektori i peshkimit në Durrës ka vetëm një apel drejtuar ministrisë së linjës dhe qeverisë.
“Të na shohë edhe neve peshkatarëve, të ulë naftën si gjithë të tjerët. Në Kosovë nafta është 1.2-1.3 euro, në Shqipëri është 2 euro.”
M.B.





