31/08/2014 - 13:24
DURRES, 31 Gusht 2014 -Kryeministri Edi Rama ka mbledhur grupin parlamentar të PS-së. Mbledhja e grupit po zhvillohet në qytetin e Durrësit nje dite para hapjes se sesionit te ri parlamentar. Burime nga PS bëjnë me dije se mbledhja pritet të zgjasë në kohë dhe është e ndarë në dy pjesë.
Ditën e nesërme në orën 17:00, nis sesioni i tretë i Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë. Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur dy ditë më parë pa praninë e opozitës së djathtë, miratoi kalendarin trejavor të punimeve të parlamentit për ditët në vijim.
Axhenda e seancës së ditës së hënë parashikon hapjen zyrtare të sesionit të ri, miratimin e programit të punës së Kuvendit për periudhën 1 shtator-9 tetor dhe të kalendarit trejavor për periudhën 1-18 shtator.
Rendi i ditës përfshin edhe pesë dekretet e Presidentit që ktheu për rishqyrtim në Kuvend disa ligje të miratuara në seancën e 31 korrikut.
Po ashtu, deputetët do të votojnë dhe dy dekretet e Kreut të Shtetit, ai për emërimin e Ermonela Felaj, në detyrën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe dekretin e shkarkimit të Ilirjan Celibashit nga kjo detyrë.
/portali DurresLajm/