Këshilla lidhur me trajtimin dhe kujdesin në veshka

23/02/2015 - 20:15

Nga Dr. Flamur Tartari 

23 shkurt 2015 -  Neglizhenca ndaj faktorëve shkaktues ka bërë që të pësojë rritje gjithnjë e më tepër numri i pacientëve që përballen me ndërlikime prej formimit të gurëve në veshka. Në rast se këto komplikacione nuk trajtohen që në stadet më të hershme, atëherë organizmi vihet përballë rreziqeve të shumta, të cilat mund të mbartin edhe pasoja fatale.

Duke iu referuar vizitave të kryera, si paraqitet situata e krijimit të gurëve në veshka tek pacientët shqiptarë?

Gjatë viteve të fundit është shtuar numri i pacientëve që i janë drejtuar për ndihmë klinikave mjekësore për shkak të komplikacioneve të shfaqura nga formimi i gurëve në veshka. Përmirësimi i nivelit të ndërgjegjësimit të popullatës ka ndihmuar në zbulimin e formimit të gurëve në stade të hershme tek shumë pacientë, dhe kjo është një gjë e mirë pasi mundësitë e trajtimit efikas janë edhe më të larta. Por pavarësisht këtij ndryshimi, fatkeqësisht një pjesë e konsiderueshme e pacientëve paraqitet tek mjeku në stade të rënduara, kur dhimbjet janë bërë të padurueshme. Kohë në të cilën  efektet e trajtimit mund të mos jenë në nivelet maksimale.

Nga se vjen formimi i gurëve në veshka?

Formimi i gurëve vjen si pasojë e grumbullimit të kristaleve të ndryshme në veshkë, të cilët me kalimin e kohës bashkohen me njëri-tjetrin duke formuar madhësi të ndryshme të gurit, që çon në paralizimin e funksionit normal të veshkës, duke e ekspozuar atë ndaj komplikacioneve të ndryshme. Tek këta pacientë organizmi nuk është në gjendje të prodhojë lëndë të mjaftueshme që nuk lejon formimin e gurëve. Shkaqet kryesore të formimit të gurëve mund të jenë uji i pijshëm, ndotja e ambientit, trashëgimia, stili i jetesës, kequshqyerja, obeziteti apo dhe sëmundje të tjera që prishin balancat e funksionimit të veshkave, si dhe lagështia dhe mungesa e lëngjeve në organizëm, situatë kjo që bëhet edhe më shqetësuese sidomos gjatë sezonit të verës.

Edhe ndotja e ambientit është një nga faktorët që ndikon në shtimin  formimit të gurëve në veshka pasi prish balancën e traktit urinar. Sa i takon gjeografisë së përhapjes, zona bregdetare shqiptare është më e rrezikuara. Kjo faktohet edhe nga rastet që paraqiten për trajtim në klinikën e urologjisë së QSUT-së, të cilët u përkasin këtyre zonave.  Por kjo nuk do të thotë se pjesa tjetër e popullatës është e pariskuar. Duhet të dimë që një shpërndarje të madhe gjeografike të zonave që preken nga formimi i gurëve në veshka. Shumë raste të paraqitura për trajtim tek ne vijnë edhe nga qytete si Kukës, Peshkopi.

Cilat janë kategoritë më të riskuara për të formuar gurë në veshka?

Lufta jonë e ndërmarrë së fundmi është parandalimi i formimit të gurëve në veshka të fëmijët. Fatmirësisht ia kemi arritur deri diku qëllimit, pasi nuk vërehet një rritje e numrit të fëmijëve që manifestojnë komplikacione të rënda nga krijimi i gurëve. Megjithatë në këtë drejtim ka ende shumë punë për të bërë dhe këtu gjej vend që të apeloj sërish për kujdes maksimal në marrjen e ndihmës mjekësore sa më herët. Kjo pasi vetëm në këtë formë sëmundja mund të trajtohet dhe parandalohet pa mbartur komplikacione të rënda, të cilat mund të rrezikojnë funksionimin e organeve të tjera. Krahas fëmijëve dhe të moshuarve, edhe grupmoshat e tjera klasifikohen në kategoritë e riskuara për të formuar gurë në veshka nëse nuk tregohet kujdes ndaj faktorëve shkaktues. Pacientët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm që t’i japin fund metodave të trajtimit të dhimbjeve të para në kushtet e shtëpisë, pasi në këtë formë vetëm sa e përkeqësojnë edhe më shumë shëndetin e tyre. E them këtë pasi nuk kanë qenë të pakta rastet që na kanë ardhur në stade shumë të avancuara, ku gurët dhe qelbëzimi kanë prekur të dyja veshkat. Trajtimet në këto raste janë tepër të mundimshme, pasi krahas kostos së lartë mund të mos japin edhe efekte e duhura kuruese. Këta pacientë janë të detyruar t’u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Sjellja e aparaturës  për thërrmimin e gurëve në veshka ka ndihmuar shumë pacientë që të kontrollojnë sëmundjen pa u dashur t’u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.

Nëse formimi i gurëve nuk trajtohet në stade të hershme, me çfarë komplikacionesh përballet pacienti?

Humbja e funksionit të veshkës mbart pasoja të rënda që mund të çojnë deri në dëmtimin e të gjitha organeve të tjera. Shumë pacientë janë të detyruar që t’u nënshtrohen dializës dhe transplanteve, procese tepër të vështira dhe që mbartin kosto të madhe ekonomike. Nëse një person ka pasur më parë gurë në veshka, nëse nuk tregohet i kujdesshëm është dyfish i riskuar për t’u prekur sërish nga formimi i gurëve, pasi kanë rrezik të përsëriten. Po ashtu edhe faktori gjenetik është një tjetër shkak që çon në formimin e gurëve. Kështu, nëse në familje ka të sëmurë që kanë formuar gurë, atëherë edhe pjesëtarë të familjes janë të riskuar për t’u prekur nga kjo sëmundje. Grafitë dhe eko-t e thjeshta mund të ndihmojnë në evidentimin e shpejtë të sëmundjes.

Po në lidhje me kujdesin që duhet treguar ndaj dietës ushqimore, çfarë këshillash do t’u jepnit pacientëve? 

Një regjim i rregullt ushqimor shpesh është edhe çelësi i mbajtjes larg të komplikacioneve që prekin veshkat dhe veçanërisht të formimit të gurëve.  Pijet alkoolike janë një faktor që nxisin formimin e gurëve në veshka. Po ashtu edhe ushqimet e rënda dhe të pasura me yndyrë. Konsumi i duhanit është një tjetër faktor që favorizon formimin e gurëve në veshka. Në varësi të madhësisë së gurit apo komplikacioneve që paraqet pacienti, mjeku rekomandon edhe dietën strikte ushqimore që ai duhet të ndjekë. Nga ana tjetër, duhet ditur se obeziteti ndikon negativisht duke influencuar formimin e gurëve, sikundër edhe shumë sëmundje të tjera. Në shumë raste këta pacientë janë operuar për heqjen e gurit dhe me kalimin e kohës kanë formuar përsëri gurë. Njëlloj të riskuar janë edhe ata që vuajnë nga tensioni dhe që kanë anomali të lindura të aparatit urinar. Kjo pasi këto kategori kanë kushtet e favorshme të formimit të gurëve në veshka. Kujdes maksimal duhet treguar edhe ndaj ndjekjes së rregullt të trajtimit mjekësor të rekomanduar nga mjeku, si dhe në asnjë rast nuk duhet besuar tek marrja e barnave qetësuese pa u konsultuar më parë me mjekun specialist.

Analizat që duhen kryer

Analiza më e shpeshtë është ajo e urinës. Së pari është e nevojshme që të bëhet një analizë e urinës e cila ndihmon në përcaktimin e kripërave që janë mbledhur në veshkë. Nëpërmjet kësaj analize mund të jepet një përcaktim i saktë se cila duhet të jetë rruga e trajtimit që pacienti duhet të ndjekë. Sa më herët të bëhet kjo analizë, aq më të lartë janë edhe rezultatet e trajtimit. Në varësi të gjendjes së kripërave në veshka vijohet më pas edhe me llojet e tjera të ekzaminimeve, siç mund të jetë eko-ja apo dhe të tjera ekzaminime më të specializuara.

Sa të rekomandueshme janë mjekimet popullore? 

Natyrisht që po, edhe mjekimet popullore luajnë një rol tepër të rëndësishëm në trajtimin e komplikacioneve të shkaktuara nga gurët në veshka. Por gjithmonë duhet të dimë që përdorimi i tyre duhet bërë me kujdes. Janë të rekomandueshme që të përdoren të gjitha llojet e çajrave bimore pasi këto të fundit kanë dhënë efekt në shkrirjen e gurëve. Këtu do të përmendim çajin e kamomilit, çajin e lule blirit, çajin e malit, çajin e marrë nga zierja e bishtave të qershive. Gjithashtu këshillohet edhe bërja e banjave të ngrohta.

Simptomat që paralajmërojnë formimin e gurëve në veshka

Në përgjithësi formimi i gurëve në veshka shoqërohet me simptoma të dukshme paralajmëruese. Pacienti mund të ndjejë dhimbje të forta që fillojnë nga fundshpina dhe më pas kalojnë në të gjitha gjymtyrët, duke vështirësuar lëvizjen. Dhimbja me kalimin e kohës bëhet shumë e fortë dhe e padurueshme. Një tjetër simptomë e dukshme është edhe djegia e urinës, teksa në shumë raste  ajo shoqërohet edhe me gjakrrjedhje. Nuk janë të pakta rastet kur manifestohet edhe me temperaturë të lartë, me debulesë trupore, probleme me përqendrimin, si dhe në raste të caktuara pacientit i krijohet edhe ndjesia e të përzierave. Këto simptoma mund të mos shfaqen njëherësh të gjitha tek pacienti.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Tkurrjet muskulare në pulpën e këmbës shkaktojnë shumë dhimbje të forta, veçanërisht kur ato shfaqen gjatë natës.

Në dhjetor duket sikur edhe ushqimet marrin ngjyra festive.

Limoni është një agrume jashtëzakonisht e pasur me vitaminë C, e cila është e domosdoshme për shëndetin dhe paraqitjen e lëkurës.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, larja e duarve është gjëja e parë dhe më e rëndësishmja që mund të bëni për

Gërhitja është një tingull që krijohet nga vibrimi i indeve të hundës ose të fytit gjatë frymëmarrjes kur një person është duke fjetur.

Gurët në veshka janë një problem i zakonshëm shëndetësor.

Ushqimi është një proces sa i nevojshëm aq edhe i kënaqshëm për çdo njeri.

Sëmundjet e zemrës janë nga sëmundjet më të përhapura në vendin tonë. Në Shqipëri, rreth 9000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të sëmundje

Fjetja pranë një personi që gërhet mund të jetë e dëmshme për shëndetin mendor dhe fizik, sipas një studimi të kryer së fundmi.

Mungesa e aktivitetit fizik mes të rinjve në botë është kthyer në epidemi globale.