Për pediatrët regjimi ushqimor vegan, i cili përjashton çdo gjë me origjinë shtazore, është i dëmshëm. Sipas tyre, është e parekomanueshme si për moshën evolutive, pra fëmijët, por edhe për gratë shtatzëna të ndiqet një dietë vegane, apo edhe vegjetariane. Mjekët vlerësojnë se një regjim i tillë nuk është i mjaftueshëm për rritjen normale të një fëmije dhe prindërit duhet të integrojnë edhe ushqime të tjera.

Kohët e fundit diskutimi është hapur në vendet e zhvilluara pasi janë evidentuar raste që kanë çuar gati deri në vdekje fëmijë të vegjël, që prindërit i ushqenin vetëm me perime dhe fruta, duke lënë jashtë dietës mishin e kafshëve, shpendëve apo peshkut, si dhe nënprodukteve të tyre.

Pediatrët, duke marrë shkas nga këto raste, theksojnë se një dietë vegane për më të vegjlit dëmton sistemin nervor qendror, pengon rritjen, krijon mjedis të përshtatshëm për anemitë etj. Në një kongres të zhvilluar në Itali të gjithë mjekët pediatër kanë qenë të palëkundur në mendimin e tyre, fëmijët duhet të rriten me të gjitha vlerat ushqimore, ashtu siç është vepruar për shekuj të tërë.