Meshkujt abuzojnë me përdorimin e steroideve. Këto substanca, që në zhargon mund t’i etiketojmë si proteina shtesë apo hormone, kryesisht përdoren nga meshkujt që frekuentojnë palestrat, body building dhe qëllimi kryesor është rritja e masës muskulare të trupit.

Mirëpo këto substance kanë efekte anësore në shëndetin e njeriut dhe kjo është diskutuar në Konferencën Evropiane të Endokrinologjisë në Lion të Francës. Sipas ekspertëve, ndër efektet anësore renditen dëmtimi i lëngut seminal, çrregullime seksuale dhe hormonale, sëmundje të zemrës dhe dëmtim të mëlçisë. Pra nuk preken vetëm përdoruesit, por edhe gjeneratat e ardhme, pasi riprodhimi vihet seriozisht në rrezik.

Një studim për këtë fenomen kanë kryer kërkuesit e Universitetit të Shën Petersburgut dhe rezulton se rreth 30% e meshkujve që frekuentojnë palestrat abuzojnë me përdorimin e steroideve. Sipas ekspertëve, steroidet japin edhe varësi psikologjike te përdoruesit meshkuj, pasi japin forcë dhe masë muskulare duke përmirësuar apo transformuar pamjen trupore.