Ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve të radiografive të dhëmbëve është i dëmshëm. Në kongresin e 20-të, të mjekëve dentistë që po mbahet në Itali, theksohet se radiografitë panoramike të dhëmbëve që tashmë janë kthyer në rutinë, mund të shtojnë shumë rrezikun e sëmundjeve të tiroides dhe shfaqjen e disa tumoreve.

Sipas ekspertëve, rrezet e aparaturave nuk janë të njëjta dhe jo gjithnjë janë të nevojshme për çdo problem. Edhe pse janë të domosdoshme për diagnostikimin e disa problemeve, jo vetëm te dhëmbët, por edhe në pjesët e tjera të trupit, sasia e rrezeve që në marrim nga një radiografi apo skaner janë të barabarta me ato që marrim në një vit nga burime të tjera në jetën e përditshme.

Për këtë mjekët këshillojnë që këto lloj kontrollesh të mos jenë të shpeshta dhe të kryhen kur janë vërtet të domosdoshme dhe mos bëhemi të varur nga to.