Krahas simptomave që kemi dëgjuar prej javësh Covid-19 ka efekte të tjera në trup, përfshirë edhe disa shenja të pazakonta në lëkurë.

Te fëmijët dhe adoleshentët në mënyrë të veçantë janë vënë re skuqje e acarim i lëkurës, puçra e mavijosje. Por ndërkohë, mjekët spanjollë kanë diktuar edhe një shenjë tjetër: skuqje dhe acarim tek gishtat e këmbës, shoqëruar edhe me flluska veçanërisht te më të vegjlit, të cilat zgjasin për disa ditë.

Mjekët vetë shprehen të befasuar nga pasojat e shumta në lëkurë që krijon koronavirusi. Shenjat në gishtat e këmbës, në disa raste, nuk janë shoqëruar me simptoma të tjera.

Ndryshime në lëkurë prej Covid 19 janë parë edhe në SHBA, ku “Akademia Amerikane e Dermatologjisë” ngriti madje dhe një bazë të dhënash në të cilën mjekët duhet të depozitojnë shenja përkatëse në rastet e pacientëve me Covid-19.

Skuqjet e lëkurës apo forma të tjera dermatiti nuk janë të rralla në rastet e sëmundjeve virale – shpesh ato nuk janë pasojë direkte por indirekte e infeksionit, për shembull kur sistemi imunitar reagon ndaj virusit ose për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm me gjak që shkakton dëmtime në lëkurë.