Siç e dimë me fillimin e shtatorit fillojnë edhe punët tona profesionale për të rriturit dhe shkollat për fëmijët por këto shoqërohen me dhimbje te ndryshme qofshin dhimbje kockore apo muskulare.

Qëndrimi për një kohë të gjatë ulur në zyrën e punës suaj, në bankat e shkollës së fëmijëve do të sjellë kontraktime muskulare si në shtyllën kurrizore ashtu edhe në zonën cervikale e cila stërmundohet për të kryer aktivitetet që kompensojnë qëndrimin e palëvizshëm dhe në pozicion të ulur të kurrizit.

Gjithashtu faktorë të tjerë ndikues që mund të lidhen me këto rrethana janë edhe çanta e ngarkuar e shpinës te fëmijët në shkollë apo trafiku i rënduar gjatë vajtjes në punë, përdorimi i makinës në rrugë të gjatë pa ndalim etj.

Shtylla kurrizore është një strukturë komplekse e cila përfshin kockat vertebrale të ndërlidhura me njëra-tjetrën, kartilaget apo disqet, muskujt, tendinat dhe nervat, të cilat të gjitha së bashku kanë një rol thelbësor në mbështjetjen, lëvizjen dhe mbrojtjen e trupit tonë.

Fatmirësisht ka disa hapa që mund të ndihmojnë si të punësuarit edhe fëmijët në reduktimin e dhimbjes së shpinës.

Ka disa varietete metodash të cilat mund të bëhen nga vet ata që kanë probleme të lehta të shpinës pa ndihmën e mjekut dhe të mund të shohin përmirësim. Disa nga të cilat janë :

  • Mbajtja e trupit në formë duke u ushtruar rregullisht. Ecja, noti apo biçikleta (qoftë edhe në palestër) do të ndihmonin në formimin dhe forcimin e muskujve përreth shpinës.

  • Streching përdorimi i gjatë i kompjuterit në zyrë, qëndrimi ulur,detyrat e klasës dhe qëndrimi në karrige 6 orë për nxënësit kërkon streching të qafes, shpinës dhe të gjymtyrëve, prandaj shfrytëzoni çdo minutë të lirë që të keni për të liruar kontraktimet në çdo pjesë të trupit që i ndjeni ato.

  • Streching i qafës realizohet duke lëvizur qafën para (mjekra të shkojë nga pjesa e përparme e kraharorit), lëvizja e qafës në të dyja anët të majtë e të djathtë duke e tërhequr me dorën e anës përkatëse, si edhe lëvizja e qafës pas.

  • Streching i kurrizit realizohet :

  • Pozicioni i maces ose devesë -duke u ulur në cep të karriges përkulesh para duke flektuar kurrizin. Kjo lëvizje ripërsëritet 5 herë dhe mundëson lehtësimin e tensionit të shtyllës kurrizore.                     

  • Rrotacion i pjesës torakale- realizohet ulur duke vendosur duart në pjesën e pasme të qafës dhe duke i drejtuar bërrylat në secilën anë. Rrotullon lehtësisht pjesën torakale nga ana e majtë dhe më pas nga ana e djathtë në drejtim të gjymtyrëve të poshtme përkatëse.

  • Mbledhja e shpatullave- uluni me shpinën drejt dhe më ngadalë mblidhni shpatullat nga mbrapa në drejtim të njëra-tjetrës. Mbajini për 3 sekonda dhe më pas relaksohuni. Përsëriteni 3 herë.

  • Përkuluni para- uluni me këmbët të hapura me shumë se shpatullat, shputat e këmbëve të puthitura në tokë. Mbaje shpinën drejt, merr frymë thellë dhe gjatë nxjerrjes përkuluni para. Lërini krahët të lira, pa peshë. Merr frymë gjatë rikthimit në pozicionin fillestar. Përsërite 5 herë.

  • Strechim i kryqëzuar- ulu me shpinën drejt duke kryqëzuar këmbën e djathtë mbi të majtën dhe përkule trupin djathtas duke qëndruar ashtu për 5 sekonda. Përsërite me të majtën, 3 herë.

  • Gjej kohë dhe çohu nga pozicioni ulur, lëviz në zyrë, klasë apo kudo që të jesh, duke bërë ecejake përreth.

Disa këshilla të vlefshme:

  1. Humb peshën e tepërt-duke qenë mbipeshë i shton presion akoma më të madh shtyllës kurrizore në pozicionin ulur apo edhe në këmbë.

  2. Përmireso posturën- duhet të jesh i vëmendshëm për posturën që po mban. Rregulloje atë gjatë ecjes, gjatë qëndrimit ulur, në këmbë. Është shumë e këshillueshme të bësh pushim nga e ulura çdo 30 minuta.

  3. Ndalo se piri duhan (nëse je konsumues)- besohet se duhani të redukton qarkullimin e oksigjenit në zonën spinale, gjë që çon në degjenerimin e parakohshëm të diskut ndërvertebral.

  4. Menaxhimi i stresit- stresi përmendet si një nga faktorët e parë të çdo patologjie, por mund të ndikojë edhe në dhimbjen e shpinës duke e përkeqësuar atë.

  5. Së fundmi duhet të shikojnë dhe të jenë të vëmendshëm se cili faktor i jashtëm mund t’ia shkaktojë dhimbjen dhe të mundohet ta evitojë atë.

Nëse dhimbjet e qafës, të shpinës bëhen të padurueshme apo nuk korigjohen me asnjë nga mënyrat e mësipërme, këshillohet të vizitohet mjeku juaj dhe të konsultoheni me një fizioterapist.

 Ju uroj një shtator e një vit të mbarë dhe pa dhimbje! /Pth Keana Sulejmani