Pandemia ka sjellë shumë pikëpyetje në mendjet e njerëzve dhe të studiuesve. Ata po përpiqen të kuptojnë se si COVID-19 vepron në trupin e njeriut dhe çfarë efekti ka pas infektimit. Nëse infektohemi nga koronavirusi dhe shërohemi, a jemi tashmë imunë? Studimet 35-vjeçare kanë treguar se imuniteti ndaj tij është afatshkurtër. Sipas tyre, mendohet se virusi mund të të prekë sërish dhe të përsëritet çdo vit.

Ndonëse SARS-CoV-2 është ai që ka pushtuar botën aktualisht, ndër vite studiuesit kanë marrë në shqyrtim 4 specie të tjera të familjes së koronavirusit. Duke menduar se ata sillen në mënyrë të ngjashme, sipas tyre rinfektimi ndodh shpesh dhe në harkun kohor prej rreth 1 viti. Analizimi i 513 kampionëve marrë nga 10 meshkuj në Amsterdam, nxorri në pah rritjen e përsëritur të antitrupave që lidhen me koronaviruset.

Kjo rritje u interpretua si rinfektim dhe për të katër koronavirusët sezonalë të marrë në studim (HCoV-NL63, HCoV-229E, HCoV-OC43, HCoV-HKU1) rezultuan 3 deri në 17 infeksione për pacient. Në raste të rralla, ato shfaqeshin 6 muaj pas infektimit fillestar, por zakonisht riktheheshin pas 1 viti. Kjo tregon se imuniteti ndaj tyre është afatshkurtër.

Ndonëse për COVID-19 ka pasur disa raste të ri-infektimit, është ende herët të thuhet se sa zgjat imuniteti mbrojtës ndaj tij.