Te qumështi i nënës është zbuluar një substancë antimikrobike, një lloj antibiotiku natyral, i cili mbron nga bakteret e rrezikshme dhe favorizon rritjen e mikroorganizmave të mirë në aparatin tretës të bebes.

Zbulimi është bërë nga studiuesi Donald Leung, i National Jewish Health, dhe u publikua në revistën shkencore 'Scientific Reports'.

Elementi në fjalë quhet "GML", dhe qumështi i gjirit është në gjendje që të vrasë baktere si Staphylococcus aureus, Bacillus subtilis dhe Clostridium perfringens, gjë që qumështi i lopës dhe ai artificial nuk e bëjnë dot.

Ndër të tjera, ekspertët zbuluan se substanca është selektive, në dallim nga antibiotikët normal, nuk vret bakteret e mira, përkundrazi stimulon rritjen e tyre dhe jo më kot në barkun e foshnjave të rritur me qumësht gjiri, ka më shumë laktobacile, baktere të familjes së enterokokut dhe bifidobaktere. Jo vetëm kaq, por substanca ka një aksion antiinflamator.