• Kjo substancë kimike është e njohur në shkencë edhe me emrin "tokoferol", që e ka prejardhjen nga një fjalë greke, domethënë "të lindësh". Kjo i është atribuar vitaminës E, për funksionimin kryesor biologjik të saj, në parandalimin e sterilitetit, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat. Kjo vitaminë ndikon në funksionimin normal të organeve të shumëzimit, si tek njeriu ashtu edhe tek kafshët. Prandaj sot është pranuar shkencërisht se mungesa e vitaminës E në ushqimin e përditshëm të njeriut shkakton sterilitet (shterpësi). Për këtë arsye vitamina E është quajtur edhe vitamina antisterile.

  • Funksionet e tjera jetësore të vitaminës E

Përveç sa u tha më sipër, vitamina E luan shumë role biologjike në organizmin e njeriut. Në radhë të parë kjo vitaminë ndikon mjaft në frymëmarrjen e qelizave, duke ndihmuar në funksionimin normal të të gjitha indeve të organizmit, bile edhe në një sasi më të vogël oksigjeni. Në këtë drejtim ajo kompenson edhe disa të meta që fiton organizmi me kalimin e moshës. Kështu p.sh. ndikon edhe në zgjerimin e enëve të gjakut, duke bërë të mundur rritjen e fluksit të rrjedhjes së gjakut, për të cilin kanë nevojë organet, sidomos gjatë aktiviteteve të theksuara fizike të tyre. Vitamina E ndikon pozitivisht në parandalimin e trombozave e mpiksjeve të gjakut, si edhe në uljen e disa yndyrnave në gjak, duke mënjanuar në një farë mënyre uljen e depozitimeve aterosklerozike. E rëndësishme është të theksohet se vitamina E ndikon në rritjen e HDL-së, që është një faktor i rëndësishëm i mbrojtjes së enëve të gjakut nga depozitimi i kolesterolit në to.

Gjithashtu vitamina E, duke qenë një antioksidant i fuqishëm, neutralizon radikalet e lira, që janë shkaktarë të shumë sëmundjeve dhe çrregullimeve në organizëm.Vitamina E mbron nga oksidimi në organizëm i yndyrnave, duke ndaluar prodhimin e peroksideve, që janë shumë të dëmshme në funksionimin normal të organizmit. Këtë veprim vitamina E e kryen në bashkëpunim me vitaminën F. 

  • Faktor i rëndësishëm për të parandaluar mplakjen e parakohshme 

Nga sa u tha më sipër, rezulton se vitamina E është një faktor i rëndësishëm për zgjatjen e jetës. Kjo ndodh për arsye se kjo vitaminë nga njëra anë hedh më shumë gjak në indet e organizmit dhe nga ana tjetër redukton konsumin e oksigjenit të tyre, pa ulur veprimtarinë jetësore të këtyre indeve.

Vitamina E mbron rruazat e kuqe të gjakut nga faktorë të ndryshëm oksidues, duke parandaluar edhe aneminë. Disa studiues të kësaj fushe mbrojnë idenë se kjo vitaminë është e aftë që të stimulojë edhe prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut. Në të njëjtën kohë ajo parandalon dhe degradimin e shumë hormoneve (të hipofizës, mbiveshkave etj). Meqenëse kjo vitaminë ndikon në shërimin dhe mbylljen e çikatriçeve (plagëve), ajo u jep elasticitet dhe rezistencë kundrejt faktorëve agresivë të jashtëm.

Duhet theksuar këtu se meqenëse ajo ka veprimtari antioksidante, parandalon oksidimin e shumë faktorëve bioaktivë si vitamina A dhe vitamina F. Vitamina E së bashku me vitaminën A bashkëveprojnë për funksionimin normal të organeve gjenitale, duke rritur prodhueshmërinë si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt. Sidomos tek këta të fundit ndikon në rifitimin e aktivitetit seksual të dobësuar.

Gjithashtu kohët e fundit është studiuar edhe veprimtaria e stimulimit të imunitetit, kundër infeksioneve të ndryshme.

Kohët e fundit është theksuar nga studiues të kësaj fushe se kjo substancë kimike parandalon mplakjen e parakohshme të organizmit.Ajo rekomandohet edhe kundër sëmundjeve virusale dhe në trajtimin e shfaqjeve të lehta të diabetit (ul gliceminën në sëmundjet reumatike, në infeksionet e mëlçisë (duke ristabilizuar metabolizmin e saj), në sëmundjet e lëkurës (pore, akne etj), në turbullimet nga menopauza, si edhe për rritjen e rezistencës fizike e psikologjike.

Për të gjitha këto që u përmendën më sipër, kjo vitaminë luan rol të rëndësishëm për parandalimin e mplakjes së parakohshme dhe zgjatjen e jetës, duke funksionuar organizmi gjithnjë rregullisht.

Gjithashtu është përcaktuar se pamjaftueshmëria e vitaminës E gjatë një kohe pak a shumë të gjatë, favorizon disa sëmundje të zemrës, aterosklerozën , madje edhe tumorin.

  • Nevojat e organizmit për vitaminën E

Për fëmijët e vegjël nevoja ditore për vitaminën E është 4.5 mg në ditë, për të moshuarit dhe adoleshentët është rreth 7-12 mg në ditë, ndërsa për të rriturit është 15 mg për burrat dhe 12 mg për femrat. Në periudhën e barrës dhe me fëmijë në gji nevojat ditore për gratë rriten në 15 mg në ditë.

Nevojat reale të organizmit për njeriun modern, sidomos për të rriturit dhe adoleshentët mund të arrijnë deri në 1 mg vitaminë E në ditë. Kjo për arsye se njeriu i ditëve tona është shumë i stresuar dhe ndodhet në një mjedis të ngarkuar me substancë toksike. 

Në rastet kur vërehen ulje të theksuara të vitaminës E në organizëm nëpërmjet analizave si edhe kur shfaqen raste sëmundjesh të ndryshme si ato që u përmendën më sipër, mjekët këshillojnë frytimin suplementar me vitaminë E, sipas nevojave.

Disa herë trajtimi me vitaminë E (300 mg/ditë) dhe selen (0.8 mg/ditë) për 2-3 vjet, redukton mjaft defektet që shkaktohen nga angina pektoriale dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare. Sidomos kur kjo kurë shoqërohet edhe me veprimtari fizike sistematike, në varësi të moshës dhe gjendjes fiziologjike.

Më poshtë po japim sasinë e vitaminës E (në mg) që gjendet në disa produkte ushqimore(në 100 gr produkt).

– mollët 0.3 – embrioni i grurit 14.5-21 

– vishnjet 0.13 – fielli i grurit 1.6

– greip fruit 0.25 – misri 2.2-3.5

– portokalle 0.23 -buka e zezë 2.1

– kumbulla 0.7 – vaji i peshkut 20

– karrota 0.45 – vaji i misrit 19

– bizele 4-6 – vaji i embrionit të misrit 250

– patate 4.6 – vaji i lajthisë 30-36

– soja e thatë 6-11 -vaji i sojës 90-120

– spinaqi 2.3 – vaji i lulediellit 49 

-lajthi 6-6.5 -gjalpi 2.1-3.3

-majdanoz 2.6 – djathrat 1

– fara luledielli 44 – sardelet 1.1

– fasule 7 – toni 6.3 

– veza 0.8

Pra, siç shihet, vitamina E është shumë e përhapur në natyrë. Sasitë më të mëdha gjenden në vajrat e farërave, në arra, lajthi, fasule, sojë etj. Embrioni i grurit përmban sasira shumë të larta, për këtë arsye edhe prodhimi i kësaj vitamine bëhet nëpërmjet ekstraktimit nga embrionet e grurit. Kjo vitaminë gjendet edhe në mëlçi, veshka dhe sidomos në vajin e mëlçisë së peshqve të detit.

Vitamina E merret nga organizmi nëpërmjet produkteve ushqimore të përditshme dhe nga tretja, absorbimi i këtyre produkteve bashkë me vitaminën E nga paretet e aparatit tretës. Ajo depozitohet në mëlçinë e zezë të organizmit dhe që andej shpërndahet në qelizat dhe indet, sipas nevojave të trupit tonë në rrethana të caktuara ushqimi (me yndyrna bimore) dhe të ndotjes së ambientit. Ajo është lipovitaminë prandaj edhe absorbimi nga organizmi bëhet më mirë kur ajo shpërndahet me yndyrna, sidomos yndyrna bimore. Prandaj, kur organizmi absorbon mirë yndyrnat, ai merr edhe sasira të caktuara të vitaminës E.

Vlen të theksohet këtu se vitamina E është mjaft e qëndrueshme. Ajo duron temperatura deri 170 gradë C, shkatërrohet gjatë hidhërimit dhe prishjes së yndyrnave ku ajo gjendet me shumicë, si dhe nga veprimi i rrezeve ultravioletë. Pra, në mungesë të dritës dhe të oksigjenit, ashtu siç ruhen yndyrnat, mund të ruhet mjaft mirë edhe vitamina E .