Aktorja e serialit kult “Beverley Hills 90210”, Shannen Doherty u diagnostikua një tumor në gji në marsin e 2015-të. 

Ajo luftoi fort për dy vjet dhe pas kësaj beteje erdhi lajmi i mirë që sëmundja kishte filluar të mposhtej. 

Por, nuk kaloi shumë dhe euforia ia la vendin një lajmi shumë të keq, i cili tronditi fansat e aktores. Në shkurt të 2020, Shannen deklaroi se sëmundja ishte kthyer.

Gjatë një interviste për revistën amerikane “Elle” magazine, ajo u shpreh se ndjehej shumë e lodhur, por e ndjente se kishte akoma shumë rrugë për të bërë. 

“E ndjej që duhet ta bëj, janë shumë gjëra që duhet t’i rrëfej mamasë time. Dua që im shoq të dijë se çfarë përfaqëson ai për mua”, u shpreh ajo. 

Sot, në moshën 49-vjeçare Shannen Doherty vazhdon luftën e saj të kancerit të gjirit, i cili është në stadin e katërt. 

Aktorja është e martuar me fotografin Kurt Iswarienko (burri i tretë) dhe megjithëse është në këtë gjendje vazhdon të ketë forcën e një luaneshe.