Bora Zemani dhe Donald Veshaj janë një nga çiftet më të përfolura të momentit, për faktin se kanë luajtur me idenë që janë më shumë kolegë që shkojnë mirë në televizion, sesa të dashur.

Ndonëse janë fotografuar shpeshherë bashkë, ata nuk e kanë konfirmuar asnjëherë lidhjen e tyre. Por vetëm pak ditë më parë ka qenë Bora, e cila ka thyer heshtjen dhe ka publikuar foton e parë të tyre si çift nga bregdeti i jugut, ku dhe kanë celebruar kështu publikisht këtë histori të bukur dashurie.

Ajo ka pranuar në këtë mënyrë publikisht marrëdhënien e tyre të dashurisë, ndërsa zgjodhi ta mbulonte fytyrën e tij me një emoji, ndonëse dukej qartazi se është ai, duke shkruar: “Me këtë çunin, identitetin e tij nuk dua ta zbuloj”.

Ndërkohë nuk ka munguar as komenti i Romeos, i cili edhe këtë herë nuk hoqi dorë nga ngacmimet, por njëkohësisht foli në emër edhe të familjes se ata e mbështetin dhe e duan këtë lidhje.

“Meqenëse është çuni jot, atëherë edhe unë do e kem si vëlla”, komentoi ai, duke marrë edhe falënderimin po ashtu me nota humori të Borës.

E pas prezantueses ka qenë vetë Donaldi që ka postuar tri foto të tyre në jug, ku pozojnë në mënyrë intime, për t’i vënë vulën historisë së tyre.

Kanë kaluar gati dy vjet, që kur moderatorja e njohur, Bora Zemani, filloi të shoqërohej me një nga vëllezërit binjakë të spektaklit të humorit “Al Pazar”, Donald Veshaj.

Vëllai misterioz dhe i diplomuar për pikturë i Romeo Veshajt nuk e fsheh tashmë lidhjen me Borën, të cilën e ka dhe kolege në projektin televiziv “Treshat”, pjesë e të cilit është edhe Romeo, i deklaruar si i dashuri i këngëtares së njohur, Jonida Maliqi.

Bora është një mami e lumtur e djalit të saj Arbor nga martesa me DJ Vin Velin, ndërkohë që Donaldi është beqar dhe tashmë ata e shohin njëri-tjetrin si një familje, pasi kanë nisur bashkëjetesën në Tiranë.

Kështu, pas fotove që Bora postonte nga shtëpia e Donaldit në Vlorë, tashmë vijnë fotot e pushimeve të tyre në jug, ku moderatorja shfaqet me gërshetat ngjyra-ngjyra, të cilat me shumë gjasë i ka bërë posaçërisht për këtë moment, kur vendosi të deklarohej si e dashura e piktorit, Donaldit, i cili njësoj si Florian Binaj, në ekran njihet si aktor humori.

Pak kohë më parë, Bora kishte bërë një foto duke pirë kafe në kuzhinën e Donaldit, të shoqëruar me diçiturën: “Gjithçka çfarë dua është dashuri dhe një kafe.”

E disa javë më pas, në programin “E diela shqiptare” ku gatuante Donaldi, ndjekësit vunë re që kuzhina ku kishte bërë fotot Bora ishte në fakt, shtëpia e Donaldit. Gjatë këtij emisioni, ku ishte prezent edhe Ardit Gjebrea, duke qenë se ishte puntata e fundit, ai nuk la rast pa i ngacmuar Borën dhe Donaldin për marrëdhënien e tyre të dashurisë.

Në një moment, teksa zbritën shkallët e restorantit, Donaldi i veshi sandalen Borës dhe i pyetur nga Gjebrea, e ka cilësuar atë si Hirushe: “Dhe kur e pyes unë je ti Hirushja, ajo thotë po! Pyes Donaldin: Je ti princi? Ai thotë po”.

Shpesh, paparazzi i “Panorama Plus” i ka fotografuar të veshur në stilin sportiv në shoqërinë e njëri-tjetrit, fakt që tregon se ata janë 24 orë në 24 bashkë, për shkak edhe të projektit të përbashkët që bëjnë në televizion. Prezantuesja, e cila i dha fund lidhjes disavjeçare me Dj. Vin Velin, ka vendosur ta konfirmojë historinë e re të dashurisë në emision.

Prej muajsh përflitej se ajo dhe aktori që na ka bërë gjithnjë të qeshim me batutat e tij, Donald Veshaj, janë në një lidhje, por në fillim u komentua si një thashethem i radhës. Por lajmi kishte një ekskluzivitet në ekranin e televizionit ku ata punojnë.

Bora, Donaldi dhe Romeo ishin të ftuar në “Tring Stars”, për të folur për projektin e ri që i bëri bashkë në televizion e teksa zbuluan shumë rreth emisionit të tyre, gjatë intervistës ranë në sy ngacmimet që Donaldi i bënte Borës. Fillimisht, Donaldi i përmendi Borës këmbët e lyera me krem shkëlqyes dhe moderatorja i bashkoi këmbët e saj me të tijat.

Ndërsa Romeo i bëri shumë komplimente ‘kunatës’, duke thënë se ajo është jo vetëm shumë e bukur, por edhe prezanton shumë mirë dhe ka ide të mira. Pas kësaj, Bora e falënderoi Romeon duke i dhuruar një puthje në faqe, si njeriut të familjes, ndërsa Donaldi, si për të konfirmuar që ata nuk janë thjesht kolegë, tha: “E kemi mikeshë familjare”.

/Panorama Plus