Artisti nga Kosova, DJ Regard, është pjesë e top listave botërore për remixin që i ka bërë këngës “Ride it”. Falë këtij hiti muzikor të lançuar në vitin 2009 nga Jay Sean, ai siguroi fillimin e një karriere të suksesshme dhe pushtoi vitin 2019

Edhe pse prodhimi muzikor është publikuar 11 vite më parë, përpunimi i këngës së britanikut Sean e tërhoqi akoma më shumë audiencën. Kjo e fundit e konsideron remixin si tepër origjinal dhe në fakt, Dardan Aliu, emri i vërtetë i artistit nga Kosova, po korr sukses në arenën ndërkombëtare.

Në një postim në Instagram, ai ka falenderuar të gjithë personat që e kanë mbështetur ndërsa nuk ngurron të shprehë edhe kënaqësinë e performancave që realizon.

“Shumë i lumtur të jem në mesin e artistëve botërorë me vetëm një projekt. Shpresoj të arrij edhe me projekte të tjera pozicion të njëjtë”, shkruan kosovari për arritjet e tij.

Artisti në fjalë shpreh mirënjohje edhe për këngëtaret me origjinë shqiptare si Rita Ora, Dua Lipa, Ava Max dhe Bebe Rexha për mbështetjen që i kanë dhënë për projektin “Ride It”. Ai i falenderon sidomos për përkrahjet e dhëna gjatë eventit Capital FM.

Nisur nga pozicionet e tij me vetëm një remix, premisat për suksese të tjera në klasifikimet botërore janë të shumta.