Këngëtari i njohur Aleksandër Gjoka para pak kohësh është arrestuar nga policia pasi u përfshi në një aksident dhe u transportua në spitalin e Traumës për shkak të lëndimeve të marra në aksident. Gjoka rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe nisur nga kjo, gjykata vendosi për të arrest shtëpie.

Mbrëmjen e kësaj të shtunë në emisioni “Soiree” me Jonida Shehun në ABC ishte i ftuar këngëtari nëpërmjet një lidhje skype për të përshendetur nipin e tij Renis Gjokën dhe për ta uruar për koncertin që do të sjellë më 18 qershor në ekranin e ABC.

Pyetur nga moderatorja Jonida Shehu se si po e kalon arrestin e shtëpisë, ai tha se po e shijon vërtet.

Biseda e plotë:

Kush është më rebel, ti apo Renisi? Të ka ngjarë ndopak Renisi tek kjo natyra jote rebele e të thyerit të regullave?

Aleksandër Gjoka: Renisi është kantautor demokracie. Renisi është shumë më i përmbajtur, më i qetë.

Çfarë këshillash i jep zakonisht Renisit?

Aleksandër Gjoka: Unë s’para jap këshilla, por në karakter jo, në muzikë po mund t’i jap. Nuk dua që të më ngjajë mua.

Për çfarë nuk do të të ngjajë ty?

Aleksandër Gjoka: Në karakter, në jetën private, në jetën e përditshme. Në muzikë pastaj le të jetë rebel s’ka problem.

Gjatë këtyre ditëve që ti po vuan arrestin e shtëpisë, je në një farë mënyre i kufizuar. A ndihesh si rock-u në diktaturë? Dhe si ndihet Sandër Gjoka që të mos ketë mundësi të mos lëvizi lirshëm dhe të mos e ketë lirinë absolute siç ai është mësuar gjithmonë ta ketë?

Aleksandër Gjoka: Qesh. Jo, këtu kam hapësirë. Nuk krahasohet ky arresti im në demokraci në krahasim me kohën e diktaturës. Jo, jo është si nata me ditën. Unë po e shijoj arrestin këtu shumë bukur nën rrezet e diellit përvëlonjës. Jam mirë. Ndoshta më mungon skena.