Spikerja e lajmeve të edicionit informativ të Tv Klan, Anjola Hamzaj ishte e ftuar në emisionin “Rudina” pasditen e të shtunës, ku foli për situatën e krijuar nga koronavirusi jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Anjolës i duhet të japë çdo ditë lajmet duke treguar profesionalizëm dhe duke shmangur emocionet, por megjithatë spikerja bukuroshe shprehet se nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj kësaj situate.

“Sado të përpiqesh të shkëputesh nga ana emocionale, është shpesh e vështirë kur bëhet fjalë për pandemi të tilla, siç ishte situata e tërmetit. Vdekja gjithmonë e trishton njeriun, humbja e jetëve njerëzore, kështu që është absolutisht e pamundur të shkëputesh totalisht. Ti arrin të japësh një edicion informativ me të gjithë performancën që duhet, me gjithë profesionalizmin që të kërkohet, por kjo nuk do të thotë që ti je e shkëputur. Mbase dhe mëmësia më ka bërë më të ndjeshme. Ndihem më e ndjeshme pas lindjes dhe i përjetoj shumë më shumë gjërat. Por, kjo më ka krijuar panik. Të jem e sinqertë, është situatë që më frikëson. Sepse s’dua të mendoj që të arrijmë edhe ne siç ka arritur Italia apo Spanja sepse dhe Italia ndihej e imunizuar, edhe Spanja. Asnjë nuk mendonte që do të arrinin në 700 viktima në ditë, më shumë se 700 viktima në ditë. Është pak e rëndë si situatë. Më frikëson absolutisht. Unë shpresoj shumë sepse masat në fakt tek ne janë marrë më paraprakisht se sa Italia. Qeveria arriti të kuptonte që duhen të merren të gjitha masat sepse mund të gjendesh totalisht i papërgatitur. Dhe është një situatë e cila del jashtë kontrollit shumë shpejt. Duke qenë se nuk e ka përballuar një sistem shëndetësor i fuqishëm siç është në Itali apo në Spanjë, apo në vende të tjera që janë shumë më të zhvilluara dhe me struktura shumë më të avancuara se ne, nuk e imagjinoj dot se ç’mund të ndodhte tek ne. Dhe kjo absolutisht që më frikëson.”, tha ajo.