Këngëtarja Lady Gaga ka folur sërish për problemet me shëndetin mendor dhe luftën e saj me depresionin në një intervistë shumë të sinqertë për “CBS Sunday Morning”. Artistja promovoi albumin e saj më të ri, Chromatica, dhe u shpreh se këngët tregojnë pjesët më të errëta të jetës së saj, duke përfshirë betejën me shëndetin mendor.

“Nuk ka asnjë këngë në atë album që nuk është e vërtetë, asnjë!”, tha Lady Gaga. Duke cituar tekstin e këngës “911” ajo tha se i referohet mjekimit që i duhej të merrte në kohën kur ndihej në panik për emrin e famën e saj.

“E urreja që isha e famshme, e urreja që isha një yll, ndihesha e rraskapitur dhe e konsumuar. Nuk është gjithmonë e lehtë t’i lejosh të tjerët të shohin kur ke probleme mendore”, u shpreh artistja.

Ajo shtoi se atë kohë çdo ditë mendonte të vriste veten. “Nuk e kuptoja pse duhej të jetoja, përveçse duhej të isha aty për familjen time. Ky ishte një mendim dhe ndjenjë e vërtetë, përse duhet të jem në jetë? Unë jetova në këtë shtëpi, ndërkohë që njerëzit më ruanin për 2 vite për t’u siguruar nëse isha e sigurt”, rrëfeu Gaga.

“Nëse jam në një dyqan dhe dikush vjen afër meje dhe më vendos një telefon direkt në fytyrë dhe nis të bëj foto, ndihem në panik total, ndjej dhimbje trupi. Më duket sikur jam një objekt, nuk jam një njeri”, ka shtuar këngëtarja.

Megjithatë ajo tha se ka lindur për të bërë muzikë dhe pavarësisht gjithçkaje do të vazhdojë të ecë përpara. Këngëtarja u shpreh se nuk e urren më Lady Gagan, sepse albumi i ri e ndihmoi të gjejë një mënyrë për ta dashuruar sërish veten.