Muzika, jeta e natës dhe koncertet pësuan një goditje të fortë gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit. Shqipëria sigurisht ndjek trendin e gjithë vendeve të Europës dhe një nga koncertet që pritej me padurim të realizohej vitin që lamë pas, ai i artistit Maluma, u shty për një moment të dytë.

Maluma i konfirmoi datat e reja të turneut “11/11” për gjithë Europën, por për shkak të shifrave të bilancit të viktimave dhe të infektuarve nga Covid-19 turi i tij u shty përsëri.

Lajmi i mirë për të gjithë është se ky koncert nuk u anulua dhe tashmë ka një datë për të. Duke qenë se edhe vendet e Europës po shkojnë drejt hapjes dhe nisjes së koncerteve, edhe Shqipëria do të nisë aty ku e la para pandemisë. Ardhja e Maluma në Tiranë u lidh ngushtë me Ditën e Verës dhe data e re e këtij koncerti është vendosur pikërisht në 14 mars 2022.

Bashkia Tiranë dhe kompania RedCloud si organizatore e këtij koncerti bën me dije se nuk do të ketë rimbursim të biletave të blera, por ato do të jenë të vlefshme për datën e re të koncertit.

“Të njëjtat bileta mund të përdoren për datën e re” informon kompania.