Policia greke ka arrestuar gjatë orëve të mbrëmjes të së dielës, këngëtarin e famshëm Notis Sfakianakis.

Sipas informacioneve të deritanishme, këngëtari i famshëm ishte duke udhëtuar me automjetin e tij në aksin që lidh qendrën e Athinës me zonën bregdetare Vuliagmeni, në momentin që u ndalua prej një patrulle të policisë e cila po kryente kontrolle për masat anticovid në kryeqytetin e vendit.

Pasi u ndalua, policët konstatuan sjellje të çuditshme prej këngëtarit të famshëm, ndaj dhe vendosën të kontrollojnë mjetin.

Në çantën e tij u gjet një pistoletë të cilën këngëtari aq shumë i debatuar për sjelljen e tij raciste dhe antisemite e mbante pa leje, si dhe një sasi kokainë.

Dyshohet se në momentin e ndalimit, këngëtari kishte përdorur sasi të lëndës narkotike. Ai u ndalua dhe pritet të dërgohet në gjykatë për masë sigurie gjatë paradites së sotme.

Notis Sfakianakis është gjendur shpeshherë në qendër të kritikave për sjelljet e tij raciste dhe ksenofobe. Ai ka fyer të huajt që jetojnë në vend, dhe është shprehur pro organizatës kriminale “Agimi i Artë”, deklaratë të cilën pak më vonë e tërhoqi.