Rezarta Shkurta ka rrëfyer për herë të parë në një intervistë si e priti rikthimin e bashkëshortit Ermal Hoxha në shtëpi pas 4 vitesh mungesë.

Ajo tregoi se kishte gjëra të vogla që ia bënë të vështirë, por shumë shpejt çdo gjë u kthye në normalitet.

“Ishin 4 vite mungesë dhe kur ishim përballë njëri-tjetrit kuptuam që këto katër vite ishin shumë. Gjëra të vogla ma bënë të vështirë. Isha mësuar të flija vetëm këto katër vite dhe rikthimi i të fjeturit bashkë, në fillim ishte bukur, por pastaj natën e gjenim veten njëri te cepi i krevatit, tjetri te cepi, të çliruar”, tha Rezarta duke qeshur, për ‘Prive’.

Ajo shtoi se fatmirësisht dhe fatkeqësisht, pasi ndonjëherë i mban inat, “Jam çmendurisht e dashuruar me atë burrë. Jam një grua e varur nga dashuria për partnerin e saj. Dashuria na bëri të kalojmë çdo gjë dhe jam e bindur që kjo sprovë që kaluam ishte asgjë, mund të kalojmë dhe dallgë më të mëdha dhe Zoti mos na vëntë në prova të tilla”.

Rezi tregoi se i kishin thënë që kur të vinte Ermali në shtëpi ato vite mungesë do duken sikur nuk kanë ekzistuar dhe i rezultoi e vërtetë.

“Përveç dy ditëve të para, që ishte natyralisht dhe gëzim, ditët në vazhdim dukej sikur nuk kishte ndodhur asnjëherë ajo që kishte ndodhur. Kur më thonë ‘E fortë si e ke kaluar’, më duket sikur flasin për dikë tjetër. Kam harruar që unë e kam përjetuar. Ka arritur shumë natyrshëm aty ku e lamë, qoftë për mua, qoftë për vajzën tonë”, tregoi Rezarta.