Gjatë intervistës ekskluzive me Oprah Winfrey, Meghan Markle rrëfeu si kurrë më parë për gjithë momentet e errëta që i është dashur të kalojë gjatë kohës kur ishte pjestare e familjes mbretërore.

Dukesha e Sussex, tregoi se për disa momente pati edhe “mendime për vetëvrasje”, të cilat ja shprehu një prej ndihmësve më të vjetër të pallatit, por ky i fundit refuzoi ta ndihmonte atë të kërkonte ndihmë.

“Më vinte turp ta thoja atë kohë, më vinte turp t’ja pranoja Harry-it veçanërisht sepse e di sa humbje ka patur dhe sa ka vuajtur. Nga ana tjetër e dija që nëse nuk e thoja, do të më duhej ta bëja. Thjesht më iku dëshira për të qënë gjallë. Ky ishte mendim i qartë, i vërtetë, i frikshëm dhe i vazhdueshëm në kokën time.”– u shpreh Markle.

Markle shtoi se nevoja për t’u larguar drejt një vendi tjetër sa vinte dhe bëhej më e madhe.

“Mbaj mend vetëm që më shtrëngoi në krahët e tij. Më pas isha unë që shkova në institucion për t’i thënë se kisha nevojë të shkoja diku për të marrë ndihmë. I thashë se nuk isha ndjerë kurrë kështu më parë dhe se kisha nevojë të shkoja diku tjetër. Si përgjigje mora një refuzim. Më thanë se nuk mund ta bëja pasi kjo s’do të ishte gjë e mirë për institucionin.”

Meghan shtoi se ky mesazh erdhi nga njëri prej njerëzve (ndihmësve) më të vjetër brenda pallatit. 

“E mbaj mend këtë bisedë si të ishte dje, pasi më thoshin: “Me zemër jam me ty sepse e shoh sa keq je, por s’mund të bëjmë asgjë për të të mbrojtur, pasi ti nuk je një punonjëse që paguhesh brenda këtij institucioni.””

Kur Oprah i kërkoi princeshës ta sqaronte në lidhje me mendimet e vetëvrasjes dhe mendimit për t’i bërë keq vetes, Meghan u përgjigj: 

“Ishte shumë e qartë dhe më kuptoni, atë kohë as nuk dija kujt t’i thoja. Një nga njerëzit e parë që i tregova ishte një nga mikeshat më të mira të nënës së Harry-it, shoqja e ngushtë e princeshë Diana-s. Sepse kush tjetër mund ta kuptonte çfarë po ndodhte brenda meje?”

Përmes këtij rrëfimi, Markle tha se ka për qëllim të ndihmojë këdo që po kalon një moment të vështirë të shëndetit mendor dhe i kërkoi njerëzve të kujtojnë gjithnjë se “nuk e di askush se çfarë kalon dikush pasi dyert mbyllen. Nuk keni asnjë ide.”

Ndër të tjera gjatë bisedës,  Meghan Markle shprehet se nuk do të heshtë për përvojat e saj në pallat për aq kohë sa familja mbretërore po “përjetëson gënjeshtrat” për të dhe princin Harry.