Këngëtari i njohur Shkelzen Jetishi është shoqëruar në stacionin e policisë se Gjakovës, pasi ka dalë nga shtëpia duke shkelur urdhrin e autoriteteve të Kosovës për vetizolim.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj i cili tha se këngëtari është shoqëruar në polici, është intervistuar dhe pastaj është liruar me premtimin se do e respektojë masën e vetizolimit.

“Dje është hapur rast për këngëtarin Shkelzen Jetishi për mosrespektim të urdhëresës. Është hapur rast dhe është liruar në procedurë të rregullt me premtimin që do ta respektojë urdhëresën”, tha Gjurkaj.

Përveç këngëtarit, Gjurkaj njoftoi se për shkeljen e urdhrit për vetizolim, policia në Gjakovë ka shoqëruar edhe dy persona të tjerë. Këngëtari Shkelzen Jetishi u urdhërua të vetizolohej, pasi ishte parë afër këngëtarit tjetër nga Gjakova Muhamet Sejdiu, i cili rezultoi pozitiv në testin për koronavirus.