Shqipëri-Zvicër kulmon me duelin mes vëllezërve Xhaka

10/06/2016 - 14:36

Të shtunën  në Lens, Shqipëria dhe Zvicra do të bëjnë debutimin e tyre në kampionatin Europian, Francë 2016-të, një duel që do të jetë i veçantë sidomos për familjen Xhaka. Për herë të parë në historinë e një Europiani do të luajnë kundër njëri-tjetrit dy vëllezër, Taulanti që do ta mbajnë veshur fanellën e kombëtares kuqezi dhe Graniti që do të përfaqësojë Zvicrën. Për 90 minuta ata nuk do të jenë vëllezër por dy rivalë që do tu vinë në ndihmë skuadrave të tyre respektive për ti bërë nisjen më të mirë të mundshme europianit francez.

Përballjes mes Taulantit dhe Granitit të Shtunën në Lens i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë mediat ndërkombëtare. Shumë prej tyre kanë lënë mënjanë ndeshjen mes Zvicrës dhe Shqipërisë për t’iu përkushtuar pikërisht duelit brenda familjes Xhaka. Përballje historike ndërmjet vëllezërve Xhaka në Zvicër-Shqipëri, është ky titulli i gazetës spanjolle 'As' e cila i ka kushtuar një hapësirë të veçantë këtij dueli me të vërtetë special. E përditshmja madrilene nënvizon se kjo do të jetë sfida e parë si kundërshtarë mes dy vëllezërve në një kampionat europian, më herët një gjë e tilla ka ndodhur në Kupën e Botës Brazil 2014 mes vëllezërve Boateng në sfidën Gjermani-Ganë. As thekson se Graniti  talenti i jashtëzakonshëm i të cilit u vu re më shpejt, zgjodhi të përfaqësojë Zvicrën vendin ku ka jetuar për vite me radhë dhe ku u rrit si futbollist ndërsa Taulanti në 2013-tën vendosi të pranojë kërkesën e federatës shqiptare të futbollit për të luajtur me vendin e tij të origjinës. Jo vetëm Shqipëri-Zvicër por edhe Taulanti përballë Granitit, debutimi i kombëtares kuqezi në Euro 2016-të do të special për shumë arsye.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: