Shqipëria fiton 3-pikëshin ndaj Serbisë

10/07/2015 - 11:20

10 korrik 2015 – Drejtësi më në fund për Shqipërinë. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë i dha Shqipërisë 3 pikët në tavolinë për ndeshjen e ndërprerë me Serbinë duke bërë drejtësi për ngjarjet e Beogradit. Cas publikoi në orët e para të kësaj të premteje vendimin duke i dhënë fitoren 3-0 në tavolinë Shqipërisë, e duke rrëzuar njëkohësisht vendimet e mëparshme të Komisionit të Disiplinës dhe atij të Apelit të Uefa-s, që I kishin dhënë fitoren kombëtares serbe.

Një fitore në tavolinë që pothuajse i jep sigurinë e vendit në play-off kombëtares shqiptare, por e vendos tashmë në garë dhe për për vendin e dytë apo dhe atë të parë, që të kualifikon direkt për në fazën e finale të Euro 2016. Prej më shumë se 8 muajsh, Shqipëria qëndronte në dyert e gjykatave sportive, por vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv është më në fund drejtësia e munguar, e cila vonoi por nuk harroi.

Shqipëria mori në Lozanë, atë që meritonte të merret që më 14 tetor në Beograd, ku dhuna dhe koret raciste të tifozerisë serbe kishin bërë të pamundur zhvillimin e një ndeshje, e cila duhej të ishte thjesht një sfidë futbolli.

Rama në qiellin e shtatë: Ja ç'dmth drejtësi europiane!

Menjëherë pas vendimit të CAS për t’i dhënë tri pikët në tavolinë Shqipërisë ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare shpreh entuziasmin e tij për këtë vendim.

“Supeeeer! Ja ç'dmth drejtësi europiane! 3 pikë për Kombëtaren Kuqezi në Beograd!!! ‪#‎ForcaShqipëria", shkruan kryeministri Rama në Facebook.

Nishani: Urime ekipit kombëtar! Përpara!

Me një foto mes futbollistëve të kombëtares kuqezi, edhe kreu i shtetit Bujar Nishani ka uruar ekipin për fitoren në tavolinë të ndeshjes me Serbinë.

“Urime ekipit kombëtar. Përpara!”, – shkruan presidenti Nishani.

Më poshtë, renditja në grupin I

Portugalia 12 pikë

Shqipëria 10 pikë

Danimarka 10 pikë

Serbia 1 pikë

Armenia 1 pikë

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: