Shqipëria një dhe njëmijë

14/01/2012 - 00:00

 

“Shqipëria një dhe njëmijë” është libër i një shkrimtari kontrovers,të famshmit Indro Montanelli (1919-2001): gazetar ndër më të zotët, historian ndër më të shquarit jo vetëm italianë, por edhe europianë. Ai është shkrimtar kontrovers posaçërisht në këtë libër: jo vetëm për nga fryma e një propagande të caktuar ideologjike që fryn faqeve të tij, por edhe për nga ato lajthime të tij historike që mund të na ngjajnë neve sot qesharake; për ndonjë, opinionet që formulon lidhur me çështjen e besimeve të shqiptarëve, për shembull për Krishterizmin ortodoks apo Islamin shqiptar; po ashtu për një përmasë monomaniake kolonializmi ekonomik e kulturor të cilën, me sa kuptohet, në kohën kur shkruante për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e ka përmbajtur dot. Montanelli ishte “fashist i thekur”, sikurse kolegët e tij e quanin, por padyshim mund të cilësohet si ndër shkrimtarët më realistë sa u përket pikërisht njohjes, studimit dhe përshkrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo atij nuk mund t’i mohohet. Për këtë arsye, me gjithë pasaktësitë e aty-këtushme që ndeshen në këtë libër të tijin, me gjithë bizaritë apo tuhafëritë, librin e tij është më mirë ta njohim sesa t’ia lëmë pluhurit të bibliotekave italiane. Duke e zhveshur prej leckave të ideologjisë së kohës, me siguri mjaft gjëra do të na mbeten prej leximit të tij: do përfundime që qëndrojnë ende në fuqi dhe që dëshmojnë mprehtësinë e vrojtimit, njëherësh të analizës dhe sintezës, të gazetarit shumë të aftë që ai ishte. Rrjedhin prej tyre edhe një varg të vërtetash gjithnjë të pazvenitura nga kalimi i kohës, që ndodhen në pikëprerjen e asaj çfarë është historike me atë çfarë është e përjetshme tek shqiptarët.

5. Fundi i pavarësisë

(Pjesa e dytë)

AGIMI I NGRITJES

Në këtë çast përvijohet e para kryengritje kombëtare shqiptare, e shkaktuar si kundërveprim ndaj Traktatit të Shën Stefanit. Popullsitë e trojeve të shkëputura nga trungu i atdheut ngritën krye me armë në dorë. Një komitet kombëtar, i kryesuar nga Gjergj Kastrioti, Bibë Doda dhe Iljas Pasha, u bashkua nën patronazhin e Stambollit edhe i dërgoi Lordit Beaconsfield një kërkesë që Anglia të mbronte në Kongresin e Berlinit tezën e një Shqipërie të bashkuar nën sovranitetin e Sulltanit. Bismarck-u u përgjigj se kombi shqiptar nuk ekzistonte. Por ngjarjet e përgënjeshtruan. Kombi shqiptar ishin malësorët e veriut që, të zatetur në fortesat e tyre, i pritën me të shtëna pushke pushtuesit malazias. Në fillim u pandeh të ishte një episod i veçuar, por shpejt u desh kuptuar se ishte konflikti edhe se ky konflikt kërcënonte të ndizte një më të madh. Italia ndërhyri. Konti Corti, ambasador në Stamboll, propozoi të këmbeheshin trevat rebele me ato të hotënve, të kelmendasve dhe të tjerësh. Porse këta nuk qenë më pak shqiptarë dhe përdorën të njëjtën taktikë për t'i shpëtuar humbjes së kombësisë dhe pavarësisë së tyre. Më së fundi u ra në njëfarë ujdie për t'i aneksuar Malit të Zi Ulqinin dhe një rriskë trualli që vente deri në Bunë.

Qëndresë e njëjtë shqiptare ndaj orvatjeve boshe ekspansioniste të Greqisë në jug dhe rezultat i njëjtë: Greqia nuk mori gjithë sa donte, porse iu desh të kënaqej me Thesalinë dhe me një rrip të Epirit me Artën. Lidhja shqiptare nuk i lëshonte armët. Bibë Doda, Prenka i mirditorëve, udhëhiqte lëvizjen për pavarësinë shqiptare, i mbështetur fshehurazi nga Porta. Por mandej, nën trusninë e Fuqive europiane, vetë Portës iu desh të ndërhynte kundër Prenkës. E bëri me dorë të butë, pa gjakderdhje: e rrëmbeu dhe e mbajti rob në Stamboll.

Por, edhe me ikjen e Bibë Dodës, situata nuk kthjellohej. Ishte një gjendje kaotike faktesh, një periudhë kalimtare, e zymtë dhe e paqetë: zbrazëtia e krijuar nga skelaria burokratike dhe administrative për shkak të bjerrjes së organeve drejtuese turke ndërsa ende nuk ishin të gatshme aristokraci të reja kombëtare, intrigat djallëzore të shteteve fqinje që ushqenin trazirat për të nxjerrë syresh përfitim, dasi shpirtrash, mosmarrëveshje krerësh, kundërvënie programesh. Edhe armiku që duhej luftuar për t'ia mbërritur bashkimit dhe pavarësisë absolute nuk ishte i qartë: ata të jugut e njësonin me Greqinë që, duke përfituar nga kjo anarki, vepronte nëpërmjet klerit ortodoks për të imponuar gjuhën e saj në dëm të asaj shqipe; ata të veriut e shihnin te Serbia dhe te Mali i Zi. Ishte mandej edhe Turqia, mbajtëse e sovranitetit me fuqi të traktateve, por në të vërtetë më pak shtypëse nga të tjerët. Aq sa, kur u ndez së rishti konflikti greko-turk më 1897, reparte shqiptare u organizuan vullnetarisht për të luftuar përkrah Portës, dhe mbi këta vullnetarë vepronin në masë të barabartë një mbetje ndjenje besnikërie ndaj Turqisë dhe urrejtja kundër Greqisë.

Por një tjetër ndikim niste gjithashtu të përvijohej në jetën shqiptare, sidomos në krahinat e veriut: ai austriak. Habsburgët kishin mbërritur në Novi-Pazar në marshimin e tyre sistematik drejt jugut dhe, nëpërmes klerit katolik dhe shkollave, vepronin përthellë ndërgjegjeve shqiptare jo duke i shtrënguar njerëzit apo duke u mëshuar gjërave, por duke joshur, duke krijuar situata të mbrothëta, duke fituar për vete te drejta merite me një veprimtari të mençur edukuese e organizuese: një veprimtari aq e hollë dhe e zgjuar sa Italisë iu duk e rrezikshme të mos e kundërbilanconte dhe të mos kërkonte me fqinjën e madhe, edhe në këtë sektor delikat adriatik, një formulë ekuilibri.
Rivaliteti miqësor italo-austriak përfaqësoi për Shqipërinë një garanci paqeje: një traktat i 1897-s mes Rome e Vjene sanksiononte ruajtjen e status quo-së territoriale shqiptare. Të sapodalë prej një procesi të mundimshëm të Risorgimento-s, italianët zunë të vështronin përtej Adriatikut, të "ndienin" problemin shqiptar. Një trashëgimi historike dëshmonte rëndësinë, për Italinë, të këtij "bregu të katërt" adriatik. Guicciardini dhe Antonio di San Giulianio zbarkonin aty për të kuptuar ata vetë kushtet e vendit dhe, me sugjerimin e tyre, u ngritën me nismë italiane shkolla, spitale, linja lundrimi. Shqiptarët e Italisë kthenin në atdheun e tyre të prejardhjes dhe, në atdheun që i kishte bërë bij, interpretonin e propagandonin me libra, revista dhe gazeta aspiratën e tij për ngritje. Kur një Monroe shqiptar lëshoi për të parën herë më 1899 britmën "Shqipëria e shqiptarëve", ajo shkaktoi në Itali një jehonë të thellë, në Dhomën e Parlamentit dhe në shtyp. Ricciotti Garibaldi krijoi një komitet për Shqipërinë dhe qeveritë e Romës e të Vjenës bashkërendonin një veprim të njëkohshëm në Stamboll për ta detyruar Portën t'u jepte shqiptarëve pavarësinë e aspiruar dhe tanimë të domosdoshme. Porta nuk pranoi, duke prerë kësisoj me duart e veta të fundmet lidhje dashurie që e mbanin Shqipërinë mbas Stambollit. Më 1903 kryengritja u ndez në truallin e Kosovës; më 1904 në Bukuresht një mbledhje kombëtare shqiptare ngriti zërin kundër sundimit anakronik turk; më 1907 një përkujtesë në këtë drejtim iu paraqit Konferencës së Hagës.
Ndodhi në këtë kohë e sipër lëvizja e Turqve të Rinj që ngjalli shpresa për një rregullim paqësor të çështjes. Intelektualëve shqiptarë iu duk të ishte ky fillimi i rilindjes, kurse në të vërtetë ishte ngrydhja e vdekjes. Kërkesës për të futur në Shqipëri përdorimin e gjuhës kombëtare Turqit e Rinj iu përgjigjën me mospranim. Shqiptarët e përforcuan kërkesën me Kongresin e Elbasanit ku u vendos themelimi i një Shkolle Normale për mësuesit e fillores. Ismail Qemal beu, në Parlamentin e Stambollit, u bë kreu i opozitës liberale edhe iu fut thellësisht luftës. Në vend ndizeshin lëvizje rebele që hidhnin pasqyrime kobzeza mbi të gjithë Gadishullin ballkanik tanimë të sfilitur prej shejnive të konfliktit vendimtar që përgatitej. Shpërthimi i luftës së 1912-shit e kapi Shqipërinë në këtë gjendje ikubimi të trazuar, një Shqipëri e pasigurt për fatet e veta, e dobësuar nga bjerja e klasave të saj, e përçarë dhe e mbetur “kockë e lëkurë”. Duke hyrë në Lidhjen ballkanike bëhej fjalë për të prerë lidhjen e fundit të varësisë nga Stambolli: sipërmarrje e domosdoshme, por e rrezikshme në të njëjtën kohë, ngase armiqtë e Portës dukeshin jo aq të thekur për të dërrmuar një shtypës kombësish, se sa për të bastisur një Perandori në mënyrë që të pasuroheshin me plaçkat e saj. Pasiguria shkaktoi një kryengritje në vend, një kryengritje të cilës krerët nacionalistë ia morën shpejt frerët në duar. Ata i kërkuan Turqisë, si shkëmbim për ndihmën ushtarake shqiptare, një autonomi më të gjerë. Por ngjarjet u rrokullisën para se bisedimet të mbërrini në një përfundim, që megjithëkëtë dukej pozitiv: lufta shpërtheu.

Shumë fise shqiptare, sidomos të veriut, u bashkuan me ushtritë fitimtare kundërturke, por mandej Serbia dhe Mali i Zi, me t'u asgjësuar Gjysmëhëna, nxituan të bënin plaçkë në krahinat shqiptare dhe po shtyheshin deri në Durrës dhe në Shëngjin. Në Vlorë një mbledhje kombëtare kishte shpallur qysh më 28 nëntor (1912) pavarësinë e Shqipërisë. Shpallja do të kishte mbetur platonike pa ndërhyrjen e vendosur italo-austriake në Konferencën e Londrës: ndërhyrje që kallëzoi mëtimet ekspansioniste të Serbisë, së cilës iu njoh vetëm e drejta e një daljeje në Adriatik, e ushtrimit të një hekurudhe dhe e përdorimit të lirë të një porti. Një komision ndërkombëtar u delegua nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër për caktimin e kufijve shqiptarë.

Zyrtarisht Shqipëria ishte legjitimuar edhe bënte hyrjen e saj në bashkësinë e kombeve europiane.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: