Skandal, lokalet po zaptojnë lulishten në hyrje të Durrësit (foto)

Postuar: 05/05/2016 - 19:57

Policia burgos banorët për avlli, biznesmenët rrëmbejnë sipërfaqet publike për lokale!

Një qytetar durrsak ka denoncuar zaptimin e lulishtes dhe parkut të fëmijëve nga betoni dhe karriget e lokaleve në lulishten në hyrje të Durrësit. Ai ka thënë se lokalet kanë nisur hedhjen e betonit dhe zaptimin e lulishtes ku argëtohen fëmijët.

Parqet e lojërave për fëmijët në qytetin e Durrësit janë pothuajse inekzistente. Kjo lulishte ishte një ndër të paktat ku fëmijët mblidheshin për të luajtur, por mesa duket aty nuk do të ketë më vend për vogëlushët.

Siç shikohet edhe nga fotot në vend të lulishtes është hedhur beton mbi beton e po vendoset parket druri për lokalet që duan të tërheqin sa më shumë klientë. Punimet janë në zhvillim e sipër në mes të lulishtes.

“Policia fut në burg banorët që ngrenë një mur avllie ndërsa ata që zaptojnë pronën publike shtojnë të ardhurat”- është shprehur më tej i indinjuar qytetari.

Qytetarët e Durrësit vuajnë çdo ditë mungesën e hapësirave të lira publike e zonave të gjelbra, pasi prej kohësh vendin e tyre e ka zënë betoni.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: