Skandal në Prokurorinë e Durrësit/ Prokurori ndryshon akuzën për vrasjen e Asllan Kërtushës

Postuar: 01/10/2016 - 16:36

Vrasja e 29 vjeçarit, Asllan Kërtusha me 1 mars të këtij viti në Durrës, sipas të afërmve së viktimës, ka ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me hetimin e fakteve nga prokurori i kësaj çështje, Drini Pali. Të afërmit e të ndjerit Kërtusha, kanë theksuar për Opinion.al, se prokurori Pali ka ndërruar akuzën fillestare nga vrasje me paramendim, në vrasje në gjendje depresive për të lehtësuar vrasësit Gëzim dhe Bledar Kajno.  

Historia: 

Vrasja e 29 vjecarit Asllan Kertusha ndodhi në 1 mars të këtij viti në Durrës pas një sherri banal me Gëzim Kajno dhe Bledar Kajno. Pas krimit, vrasësi u largua nga vendi i ngjarjes dhe u tentua të manipulohej media duke thënë se Asllan Kertusha kishte armë dhe kishte plagosur Bledar Kajnon. Fatmirësisht policia sekuestroi kamerat e lokalit dhe në televizor u shfaq qartë që jo vetëm viktima nuk kishte armë, por u mundua t’i shmangej konfliktit. Vrasësi pasi i shtiu e qëllonte me grushta dhe shqelma në bashkëpunim me kushëririn.

Asllan Kertusha arriti të hipte në taksi, por kamera tregon se Gezim dhe Bledar Kajno e gjëmuan dhe tentuan ta nxjerrin nga aty duke i shtirë për herë të dytë duke i marrë jetën. Akuza që u ngrit në fillim ishte vrasje me paramendim në bashkëpunim, armëbajtje pa leje dhe fshehje e krimit. Gjatë 6 muajve të hetimit u ndërruan tre prokurorë. Prokurori aktual i çështjës është Drini Pali (i pushuar një herë nga puna për parregullsi në 2010 dhe i kthyer në punë në 2013), i cili ka ndërruar akuzën fillestare nga vrasje me paramendim, në vrasje në gjendje depresive për të lehtësuar vrasësit.

Motra e viktimës thekson se duke u nisur nga faktet gjithkush në këtë vend, ku kriminelet shëtisin me armë duke vrarë, paguajnë para dhe dalin si viktima para ligjit, shtron natyrshëm pyetjet e mëposhtme:

Pse janë ndërruar tre prokurorë brenda gjashtë muajve?

Pse ka ndryshuar akuza vrasje me paramendim kur në kamera duket qartë që vrasësit hyjnë në lokal të armatosur dhe të përgatitur për konflikt me një armë pa leje?

Si është e mundur që të dy vrasësit të jenë njëkohësisht me depresion?

Nëse ata justifikohen se depresionin e patën në momentin e ngjarjes me lind pyetja si është e mundur kur ishin dy vetë të armatosur në lokalin e tyre kundër një personi krejtësisht të paarmatosur që kërkonte vetëm t’i shmangej konfliktit?

Nëse këta vrasës janë apo kanë qenë me depresion a nuk janë rrezik për shoqërinë nëse nuk dënohen? Eksperienca ka treguar që njerezit me influencë apo para, që kanë vrarë për herë të parë dhe nuk janë dënuar, ata kanë vrarë përsëri.

“Kush mund t’i pergjigjet pyetjeve të mësipërme por edhe kush mund të vepronte do të evitonte humbjen dhe vrasjen e shumë të rinjve vetëm se ligji nuk ka vepruar”, përfundojnë ata rrëfimin për Opinion.al.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: