Ekonomia që vret; 215 vetëvrasje, rriten tentativat në vitin e pandemisë

05/06/2021 - 08:46

Rritja e numrit të vetëvrasjeve në Shqipëri u atribuohet faktorëve ekonomikë dhe socialë. Teksa niveli i tyre vijon të jetë tre herë më i lartë se sa vrasjet, ekspertët e fushës psikologjike bëjnë thirrje për ndërtimin e mekanizmave që të parandalojnë sjelljen vetëvrasëse, e cila ka ndikim ekonomik dhe social të konsiderueshëm.

Vetëvrasja është një nga fenomenet më të dhimbshme të shoqërisë. Në Shqipëri vijojmë të flasim për shifra të larta. INSTAT raportoi se  se numri i vetëvrasjeve, në vitin 2020, në total ka qenë 215, nga 216 një vit më parë.

Shifrat flasin sërish për një numër të konsiderueshëm, si dhe një raport 3-fish më të lartë se sa vrasjet në Shqipëri (55 vrasje në 2020-n).

Ekspertët rikujtojnë edhe rastet kur fenomeni ka mbetur në tentativë. Sipas tyre, tentativat për marrjen e jetës vitin e shkuar kanë pasur nivelin më të lartë të tre viteve të fundit, përkatësisht 129 raste të raportuara dhe gjithashtu, mendohen edhe dhjetëra të tjera të paraportuara.

Vetëvrasjet dhe përpjekjet për vetëvrasje kanë një dëm të jashtëzakonshëm emocional për familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën, si dhe për të mbijetuarit e përpjekjeve. Por vetëvrasja ka kosto ekonomike për individët, familjet, komunitetet, shtetet dhe kombin në tërësi. Këto përfshijnë kostot mjekësore për individët dhe familjet, humbjen e të ardhurave për familjet dhe produktivitetin e humbur për punëdhënësit, nga ana e familjarëve, miqve të dekurajuar.

Ata që mbeten pas

Dikush që ka humbur një të dashur nga vetëvrasja konsiderohet si i mbijetuar. Këta individë shpesh përjetojnë hidhërim të fortë dhe kompleks, që mund të shoqërohet me ndjenja faji. Për shkak të stigmës që rrethon vetëvrasjen, të mbijetuarit mund ta kenë të vështirë të kërkojnë mbështetje ose të flasin për ndjenjat e tyre.

Më tej, të mbijetuarit e vetëvrasjes kanë rrezik më të lartë ta përsërisin këtë veprim. Sipas ekspertëve të çështjeve psikologjike, rreziku mund të shpjegohet pjesërisht nga lidhja familjare dhe faktorët gjenetikë të sëmundjes mendore, në rastin e vdekjes së një të afërmi nga vetëvrasja. Për më tepër, faktorët mjedisorë dhe të komunitetit luajnë një rol në rrezikun e vetëvrasjes, duke përfshirë jetesën në një zonë rurale, individët të cilët jetojnë pranë të dashurve që humbin jetën nga vetëvrasja mund të përballen me një rrezik më të lartë, sepse ata janë të ekspozuar ndaj të njëjtëve faktorë rreziku.

Komunitetet gjithashtu ndikohen ndjeshëm kur ka një vdekje nga vetëvrasja. Përveç tronditjes dhe pikëllimit që shoqëron një vdekje, mund të ketë edhe grupe vetëvrasjesh, që do të thotë vetëvrasje të shumta në një periudhë të shkurtër në atë zonë gjeografike. Ndaj, ekspertët këshillojnë të tregohet shumë kujdes me mediatizimin e fenomenit.

Efekti i COVID-19

Arjana Rreli, mjeke psikiatre, pohon për “Monitor” se gjatë pandemisë, stresi, ankthi e më pas depresioni kanë qenë në rritje të vazhdueshme, faktorë që sipas saj çojnë në një sjellje vetëvrasëse të pakthyeshme.

“Rikujtojmë se vitin e shkuar, u shtua një faktor stresant i fuqishëm, ai i COVID-19; në vitet pararendës kanë qenë arsyet e të gjithë kohërave, ai ekonomik është thelbësor, si dhe konfliktet brenda familjes.

Ekzistojnë edhe arsye si migrimi dhe emigrimi, lëvizja e popullatës, përballje me një mentalitet tjetër. Kjo ka sjellë konflikte, sa i përket mendësisë në ruajtjen e traditës dhe kështu vajzat shqiptare janë vënë nën presion nga familja” – thotë znj. Rreli.

Sipas mjekes, në sjelljen vetëvrasëse shkojnë persona që nuk pranojnë të kurohen, ose kanë presion familjar që të mos pranojnë problemin.

“Ata që kërkojnë ndihmë nuk arrijnë deri në vetëvrasje. Ndihma që u ofrohet është shumëdimensionale. Nga këshillimi deri te medikamentet që bëjnë efektin e tyre që shëndeti mendor të mos përkeqësohet. Dhe që s’kanë efekte anësore. Një ndihmë e specializuar e marrë në kohë e minimizon këtë fenomen kaq të dhimbshëm për shoqërinë” – përfundon znj. Rreli.

Kostot ekonomike në botë

Ekziston gjithashtu një kosto ekonomike e lidhur me vetëvrasjen, I referohemi kostos mjekësore dhe të humbjes së punës. Sipas CDC (Qendrës Për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve në SHBA), vetëvrasja dhe përpjekjet për vetëvrasje i kushtojnë shoqërisë rreth 70 miliardë dollarë në 2018-n. Kostoja mesatare e vetëm një vetëvrasjeje është gati 1.5 milionë dollarë. Vlerësimi kombinon shpenzimet mjekësore dhe kostot për shkak të humbjes së punës. Programet e parandalimit të vetëvrasjeve, veçanërisht ato që përqendrohen në ndërtimin e rezistencës së komunitetit pas një vetëvrasjeje, mund të ndihmojnë në uljen e kostove ekonomike dhe emocionale.

Kostot e sjelljeve vetëvrasëse – dhe kursimet që mund të rezultojnë nga parandalimi i këtyre sjelljeve – mund të ndihmojnë të bindin politikëbërësit dhe palët e tjera të interesit se parandalimi i vetëvrasjes është një investim që do të kursejë dollarë si dhe jetë. Një ndër pikat që përmendet është, padyshim, mungesa e një individi në tregun e punës, që sjell pagesa më pak në taksa dhe sigurime shëndetësore e shoqërore, përtej ndërgjegjësimit të humbjes së një jete. Por, në Shqipëri nuk ekziston ende një studim i mirëfilltë që bën korrelacionin e një vetëvrasjeje me kostot ekonomike në shoqëri.

Studimi i fundit ‘Vetëvrasja dhe Përpjekjet për Vetëvrasje’ në Shtetet e Bashkuara: Kostot dhe Pasojat e Politikave, zbuluan sa vijon:

-Kostoja mesatare e një vetëvrasje ishte 1,329,553 dollarë.

-Më shumë se 97% e kësaj kostoje ishte për shkak të humbjes së produktivitetit. Pjesa e mbetur prej 3% ishin shpenzime të lidhura me trajtimin mjekësor.

-Kostoja totale e vetëvrasjeve dhe përpjekjeve për vetëvrasje ishte 93.5 miliardë dollarë.

-Çdo 1.00 dollarë i shpenzuar për ndërhyrje dhe ndërhyrje psikoterapeutike që forcuan lidhjet ndërmjet ofruesve të ndryshëm të kujdesit kursen 2.50 dollarë në koston e vetëvrasjeve.

Ekonomia dhe shoqëria

Vetëvrasja analizohet kryesisht nga ekspertët e shëndetit mendor, por duhen kuptuar edhe fenomenet sociale. Madje, sipas sociologes Marsida Simo, mund të jenë pikërisht këto fenomene socio-psikologjike si mungesa e mirëqenies, zakonet e vjetra dhe shtypëse, gjuha e urrejtjes që është përhapur gjerësisht në media apo në rrjetet sociale, bullizmi, mungesa e optimizmit, të cilat mund të krijojnë këtë gjendje amullie te një shoqëri e deri te marrja e vendimit për vetëvrasje te një person.

“Psikologët e lidhin shpesh me traumat e fëmijërisë vetëvrasjen, por të mos harrojmë se traumat mund të shkaktohen nga dhuna e ushtruar nga njëri prind apo kujdestari, mësuesja apo dikush tjetër. Trauma mund të jetë edhe për shkak të një fëmijërie të jetuar me mungesa të thella materiale prej ekonomisë, por edhe shpirtërore” – thotë znj. Simo.

Në vendin tonë është krijuar një frymë pesimiste, vijon ajo, e cila buron prej vështirësive të realitetit, prej imazhit që po e përforcojnë mediat nëpërmjet lajmeve të kronikës së zezë, apo statistikave jopozitive për zhvillimin e vendit.

“E gjitha kjo çon më pas në një efekt domino, ku nga këto informacione negative, infektohemi të gjithë, duke e vazhduar këtë frymë pesimiste te njëri-tjetri. Në këtë efekt domino, jo të gjithë dinë t’ia dalin, pasi dikush ka mundësi të përkrahet dhe të marrë mbështetje, e dikush merr vendime fatale për jetën” – përfundon sociologia.

OBSH

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sjellja vetëvrasëse ka ndikim dramatik në vendin e punës në terma njerëzorë dhe financiarë. Gjithashtu, njihet kostoja për ekonominë e gjerë. Kur një person në moshë pune tenton t’i japë fund jetës, ai menjëherë bëhet ekonomikisht joproduktiv; punëdhënësi duhet të gjejë dhe trajnojë një zëvendësues (ai r do të mungojë në punë, nëse humb jetën ose veprimi mbetet në tentativë).

Trendi ndër vite

Vetëvrasjet u rritën në mënyrë sistematike në dy vitet e fundit, duke arritur në 216 persona më 2019, ose 2,3% më shumë në raport me një vit më parë dhe pothuajse në të njëjtin nivel ishin edhe në 2020-n. Sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, numri i personave të vetëvrarë arriti në 7,5 për 100 mijë banorë nga 5,4 që ishte në vitin 2016.

Numrin më të lartë të vetëvrasjeve e kanë burrat, me 72% të totalit në 2020-n. Vetëvrasjet e meshkujve u rritën me 8.4% në vitin 2020, ndërsa ato të femrave ranë me gati 18%. Ekspertët pohojnë se kjo tendencë lidhet edhe me faktin që pandemia e Covid-19 preku më rëndë meshkujt, që u ndikuan dhe më shumë psikologjikisht.

Më e ekspozuar ndaj vetëvrasjeve ishte grup-mosha 55-59 vjeç me 15% të totalit të vetëvrasjeve. Një rritje e ndjeshme e heqjes së jetës me dëshirë u konstatua për grup-moshën 50-54 vjeç, me pothuajse dyfishim në raport me vitin e mëparshëm, e ndikuar kryesisht nga meshkujt.

Zakonisht në këto grupmosha, vetëvrasjet shtyhen nga arsye ekonomike dhe përfaqësojnë kryefamiljarë që nuk ia dalin dot të mbajnë familjen. Më tej, numri më i lartë ishte për grupmoshën mbi 70 vjeç, me rreth 44 persona, ose 20% e të personave të vetëvrarë më 2019. Vitet e fundit, numri i pleqve që jetojnë vetëm, është rritur, dhe të moshuarit janë më ekspozuar ndaj depresionit.

“Shoqëria shqiptare ka humbur drejtpeshimin, duke e lënë individin në mëshirën e fatit. Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe që i vë egërsisht nën presion individët. Mund të themi se shkaktarë të kësaj situate janë probleme të natyrës ekonomike, sociale e psikologjike. Të gjitha së bashku bëjnë që shumë njerëz të shfaqin dobësi, të cilat bëjnë të mos i përballojnë dot presionet e shumta” – ka pohuar më herët për “Monitor”, psikologu Ergys Mërtiri.

Teksa ekspertët e fushës psikologjike raportojnë stres më të lartë të përjetuar nga popullata gjatë pandemisë, shifrat e Policisë treguan se numri i vetëvrasjeve në vitin 2020, në total, ka qenë 156. Por, në një pikë bien dakord të dyja palët, tentativat për vetëvrasje kanë qenë më të larta vitin e shkuar. Sipas psikologëve, pandemia, stresi, mungesa e informacionit, një jetë në karantinë, por njëkohësisht dinamike me: mësim online në rastin e fëmijëve, puna online në kushte jo të favorshme, tensione të krijuara nga një ndryshim i jetës sociale e familjare.

“Të gjitha këto arsye kanë shtuar stresin dhe ankthin në popullatë, duke çuar në depresion të mundshëm dhe deri në sjellje vetëvrasëse” – pohon mjekja psikiatër, Arjana Rreli.

Qarqet e Gjirokastrës, Beratit dhe Lezhës kishin nivelin më të lartë të vetëvrasjeve në vitin 2019. Në raport me popullsinë, Gjirokastra shënoi 13 vrasje për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Berati me 12,8 persona të vetëvrarë për 100 mijë banorë dhe Lezha me 12. Në anën tjetër, Kukësi, Elbasani dhe Tirana kishin numrin më të ulët të vetëvrasjeve, përkatësisht me 3,6, 5,1 dhe 5,8 për 100 mijë banorë, duke rezultuar shumë poshtë mesatares kombëtare.

Shqipëria, me numrin më të ulët të vetëvrasjeve në Rajon

Me gjithë numrin në rritje të vetëvrasjeve, Shqipëria e ka këtë fenomen më pak të përhapur se rajoni. Sipas të dhënave të OKB mbi popullsinë, numri i vetëvrasjeve në Serbi ishte 15,6 persona për 100 mijë banorë, në Malin Zi ishin 10,3, në Bosnjë 8,8.

Në rang global, në vitin 2018, Lituania shënoi numrin më të lartë të vetëvrasjeve me 31,9 për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Rusia me 31, Guajana me 29,2 dhe Koreja e Jugut me 26,9 vetëvrasje për 100 mijë banorë.

Eksperti: Shkaktarët, ekonomikë dhe socialë

Shoqëria shqiptare ka humbur drejtpeshimin, duke e lënë individin në mëshirën e fatit, shprehet sociologu Ergys Mërtiri. “Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe i vë egërsisht nën presion individët.

Mund të themi se shkaktarë të kësaj situate janë probleme të natyrës ekonomike, sociale e psikologjike. Të gjitha së bashku bëjnë që shumë njerëz të shfaqin dobësi, të cilat i bëjnë të mos i përballojnë dot presionet e shumta” – thotë ai. Mërtiri shton se, një pjesë e mirë e individëve që mund të bëjnë vetëvrasje, vuajnë probleme në familje, divorc, mosmarrëveshje, mungesë komunikimi, apo presionet në punë dhe vështirësi për të siguruar jetesën.

“Një pjesë tjetër, për shkak të pamundësive që sjell mjedisi, vuajnë perceptimin e të ndierit të parealizuar, të paaftë apo dështakë. Shoqëria shqiptare karakterizohet nga një intensitet i lartë i tensioneve, konflikteve, presioneve të shumta, të cilat shpesh ndikojnë në humbjen e ekuilibrit psikologjik. Jemi një shoqëri tejet agresive dhe aspak tolerante, gjë që rrit ndjeshëm ngarkesat e përditshme. Në fund, mungesa e shpresës, në një shoqëri që perceptohet si pa të ardhme, është shpesh vendimtare në përhapjen e dëshpërimit te shumë njerëz, çfarë i shtyn ata të jenë plotësisht të demoralizuar dhe pa vullnet për të ndërtuar jetën” – thotë z. Mërtiri.

Sipas tij, studiues të shumtë thonë se dy janë problemet e mëdha që shkakton jeta moderne: Vetmia sociale dhe pasiguria. Këtyre mund t’iu shtohen edhe një sërë problemesh që kanë të bëjnë me mungesën e motivimit, vanitetin, frenetizmin e përditshmërisë, stresin në punë etj.

“Në shoqëritë moderne, njerëzit po bëhen gjithnjë e më të huaj për njëri-tjetrin, lidhjet shoqërore janë dobësuar, të afërmit janë bërë të largët dhe pandemia dha ndikim të jashtëzakonshëm në dobësimin e lidhjeve sociale. Kjo i bën shumë njerëz të ndihen bosh dhe të mos u japin kuptim jetës. Nga ana tjetër, moderniteti krijon shoqëri të cilat janë në ndryshim të madh dhe të vazhdueshëm. Kjo sjell pasiguri, e cila çon shpesh në ankthe e neuroza të ndryshme.

Shifrat e larta të divorceve, tensioneve dhe dhunës në familje, apo edhe problemeve të shoqërizimit në të, tregojnë se familja nuk është më një strehë e sigurt dhe e ngrohtë për shumë njerëz. Kjo do të thotë se ajo nuk arrin të amortizojë problemet e jashtme, madje për më tepër, i krijon individit probleme të mëdha, shpesh dramatike. Të gjitha këto janë të pranishme dhe në shoqërinë shqiptare, duke shtuar probleme të destabilizimit ekonomik, e kulturor, të cilat në Shqipëri janë në nivele shumë herë më të larta se kudo në botën e zhvilluar” – përfundon ai.

Mekanizmat shtetërorë për minimizimin e situatës

Ekspertë të fushës sociologjike dhe psikologjike pohojnë se, shteti e ka të vështirë të ndërhyjë në probleme, të cilat janë thellësisht individuale, por ai ka një ndikim të madh, për aq sa mund të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës. Sipas tyre, nëse kushtet ekonomike, shoqërore e kulturore do të ishin më të mira, numri i vetëvrasjeve do të reduktohej shumë.

Në një plan më të ngushtë, strukturat shtetërore mund të ndihmojnë në krijimin e lehtësive për njerëzit që vuajnë depresionin, mund të rrisin numrin dhe cilësinë e shërbimit të qendrave që asistojnë probleme të kësaj natyre, mund të ndërhyjnë me politika të cilat mund të zbusin probleme të stresit në punë, si dhe mund të rrisin ndërgjegjësimin dhe informimin mbi probleme të depresionit, zbutjes së konflikteve sociale dhe motivimit.

Sipas tyre, përmirësimi i kujdesit të shëndetit mendor është diçka emergjente, pasi praktikisht problemet janë të shumta, por mundësitë e trajtimit të tyre janë tepër të pamjaftueshme. Përveç shtetit, kontribut mund të arrihet edhe nga aktorë të tjerë socialë, siç mund të jenë shoqëria civile, institucionet e edukimit, media, etj./monitor

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Pasojat që pandemia shkaktoi në aktivitetet ekonomike u reflektuan dhe në tregun e punës, i cili nuk po arrin të rimëkëmbet duke cenuar k

Shqipëria u rendit shumë keq në një nga treguesit më të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm global, vdekshmërinë foshnjore.

Fqinjësia e mirë, trokitja në derën e komshiut për të kërkuar diçka, shkëmbimi i vizitave, komunikimi njerëzor etj, janë disa nga vlerat

Vitin e kaluar humbën jetën nga sëmundjet tumorale 3589 persona, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin paraardhës, por të dhënat tregojn

Ka qenë një festë ndryshe kjo e një qershorit në Institutin e të Miturve në Kavajë.

Nga viti 2015 kur nisi zbatimi i reformës së pensioneve, mosha mesatare e daljes në pension arriti në 63.3 vite, me një rritje mesatare 7

Bashkia e Tiranës ka reaguar pas lajmit të publikuar një ditë më parë në media, se nuk do të ketë në qarkullim abone të përgjithshme.

Banka Botërore ka vlerësuar se Shqipëria duhet të investojë mbi 98 milionë dollarë si pjesë e përgatitjes ndaj emergjencave dhe përgjigje

Pandemia e Covid-19 ka dhënë pasoja të rënda në rritjen e fataliteteve në vend në vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.