Nesër më 2 nëntor fillon viti i ri akademik 2020-2021. Për shkak të pandemisë Covid-19 dhe numrave të të prekurve në rritje, Komiteti i Ekspertëve vendosi për zhvillimin e mësimdhënies online.

Në një mesazh për studentët para nisjes së vitit të ri, Osman Metalla, Dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale në UAMD, thotë se “Nuk është e lehtë, dhe natyrisht në të gjitha dimensionet mësimi online nuk zëvëndëson mësimin në auditor, marëdhëniet njerëzore kurre nuk mund të zëvëdësohen me marëdhëniet virtuale, por sidoqoftë, për momentin kjo është mënyra me më pak kosto për të vijuar mësimdhënien.”

Ndër të tjera, në mesazhin e tij, Metalla thotë se edhe këtë vit, Fakulteti i Studimeve Profesionale ishte nga Fakultetet më të kërkuara nga ana e maturantëve. “Këtë vit akademik ne do t’i ofrojmë tregut të punës dhe specialist të tjerë, sikurse janë specialistët e sistemeve të kondicionimit, mekanikët industrial dhe bujqësore dhe mekanikët detarë“, shkruan Metalla.

Mesazhi i plotë:

Të nderuar studentë,

Nesër fillon viti i ri akademik, ndaj me lejoni tju përcjell urimet e mia më të mira, tju uroj suksese në rrugëtimin tuaj Akademik! Shume suksese atyre që për herë të parë do të fillojnë mësimin në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, e sidomos studentëve të Fakultetit të Studimeve Profesionale. Suksese ne vijim studentëve të cilët tashmë janë pjesë e Universitetit dhe Fakultetit tone dhe rikthehen për të vazhduar studimet!

Jemi të lumtur që dhe këtë vit, Fakulteti i Studimeve Profesionale ishte nga Fakultetet më të kërkuara nga ana e maturantëve. Kjo për faktin se në vitet pararendëse, studentët e këtij fakulteti kanë qenë studentët më të preferuar nga tregu i punës, si brenda ashtu dhe jashtë vëndit. Profesionet e tilla si ato të shkencave teknike mjekësore, navigimit, teknologjisë së automobilave, specialistet elektrike, ujësjellës kanalizimeve, rrjeteve kompjuterike apo informatikës praktike, menaxheret e ndertimit apo transportit, kanë qenë vazhdimisht të kërkuar nga tregu i punës. Marëdhënia e Fakultetit tonë me tregun po forcohet dita ditës dhe tashmë dhe tregu i punës UAMD dhe FSP i konsideron partner. E kombinuar kjo dhe me rritjen e kapaciteteve tona laboratorike, në rritjen e cilësisë së praktikave profesionale që ne zhvillojme në laboratoret tona dhe tregun e punës, bën që aftësive profesionale e studentëve tanë të jetë gjithnje e në rritje të vazhdueshme. Ky është suksesi ynë, ky është suksesi juaj për tu integruar sa më parë në tregun e punës.

Në sajë të këtij bashkëpunimi, këtë vit akademik ne do ti ofrojmë tregut të punës dhe specialist të tjerë, sikurse janë specialistet e sistemeve të kondicionimit, mekanikët industrial dhe bujqësore dhe mekanikët detarë.

Në një kohë normale do tju uronim mirëserdhjen në audtitorët e universitetit, por situata që po kalojmë na detyron që dhe urimin ta përshtasim dhe tju urojmë suksese në fillimin rrugëtimit tuaj i cili ndryshe nga të gjith vitet e tjerë këtë vit do të fillojë me mësimin online. Një sfidë më vete kjo, për më tepër duke menduar krahinën e Durrësit dhe të Krujës që u prekën dhe nga tërmeti shkatërrimtar i vitit të kaluar dhe një pjesë e studentëve tanë akoma vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira, ndaj dhe mësimi online është një mission i vështirë por që së bashku do ta bëjmë të mundur. Nuk është e lehtë, dhe natyrisht në të gjitha dimensionet mësimi online nuk zëvëndëson mësimin në auditor, marëdhëniet njerëzore kurre nuk mund të zëvëdësohen me marëdhëniet virtuale, por sidoqoftë, për momentin kjo është mënyra me më pak kosto për të vijuar mësimdhënien.

Jetojmë në një kohë sfidash, të cilat ndryshojnë dhe shtohen na varësi të rrethanave, ndaj dhe mënyra më e mirë për ti kapërcyer ato është dija. Unë ju inkurajoj që të përftoni sa më shumë nga vitet tuaja të studimit pranë Universitetit dhe Fakultetit tonë, pasi kjo është e vetmja mënyrë që ne së bashku tia dalim.

Situate e krijuar nga COVID-19, na ka detyruar të ndryshojmë mënyrën e jetesës, të krijojmë distanca fizike por nga ana tjetër të kuptojmë më mirë për nevojën që kemi për njëri-tjetrin! Ndihma dhe bashkëpunimi ynë, i stafit akademik dhe i atij ndihmës akademik do të jetë i pakursyer për tju ndihmuar dhe lehtësuar në maksimum kapërcimin e sfidave tona të përbashkëta.

Kjo situatë nuk do jetë e pafundme, ndaj dhe ne si institucione akademike po përpiqemi që gjate kohës së pandemisë të përshtatemi, por dhe të jemi në avantgardë të mendimit se si do të përballohet situate ne vijimësi dhe situate post COVID-19.

Duke ju uruar shëndet, suksese e mbarësi në rrugëtimin tuaj akademik, si dhe rikthim sa më parë pranë auditoreve,

Sinqerisht,

Osman Metalla

Dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale

Universiteti “Aleksandër Moisiu”

Durrës