Guxoni të ëndërroni dhe ëndrra do te bëhet pjesë e realitetit tuaj!

Nën moton e kësaj thënieje, u diplomua brezi i 18-të i maturantëve të shkollës “Mihal Ekonomi”.

Atmosfera e bukur festive me muzikë shoqëroi emocionet e nxënësve, mësuesve dhe prindërve që pavarësisht situatës nuk munguan në këtë eveniment, nga më rëndësishmit në jetën e një nxënësi.

“Ne ia dolëm! Ju na dhatë flatra e ne jemi gati të fluturojmë”, e mbylli fjalimin e saj Presidentja e Senatit të shkollës Rexhina Hysi.

Njëra ndër maturantet e shkëlqyera Sara Cami, pas falënderimeve të shumta me doza të mëdha emocioni u shpreh: “E gëzofshim diplomën e parë dhe u gëzofshim prej saj”.

Finalizimi i këtij rrugëtimi erdhi pas përpjekjeve të tre viteve të fundit por jo vetëm. Ky brez maturantësh do të mbahet mend si matura që sfidoi veten, që u perball me vështirësi të paparashikuara, ndaj dhe gëzimi në zemrat e të gjithëve, mirenjohja ndaj punës së palodhur të mësuesve kapërceu çdo kufi.

Vlen të theksohet se rezultat e maturës shtetërore qenë tejet të larta. Shumë nxënës në lëndë të ndryshme u vlerësuan me notë maksimale, ndërsa mesatarja e maturës shtetërore në të katër provimet ishte 9.3.

Përqafime, lot, lule, foto iu bashkuan mbrëmjes duke krijuar një atmosferë të ngrohtë që do të mbetet një kujtim i vyer në zemrën e çdo maturanti.