Dita Botërore e Breshkave përkujtohet çdo vit më datë 16 qershor duke i kushtuar një rëndësi të veçantë ruajtjes së këtyre llojeve globalisht të rrezikuara, të cilat kanë jetuar në planetin tokë që nga koha e dinosaurëve. Një grup kërkimor i kryesuar nga Dr. Enerit Saçdanaku, sapo ka filluar punën në vitin e dytë për eksplorimn e bregdetit ranor në Shqipëri, me qëllim vlerësimin e përshtatshmërisë së plazheve për folezimin e breshkave detare. 

Për të grumbulluar të dhënat e nevojshme, studiuesit po përdorin metoda tradicionale, por gjithashtu edhe metoda të sofistikuara siç është droni me një program të specializuar të instaluar në të, i cili, përveç se do të krijoj hartat e plazheve, do të japë informacion edhe për lartësinë e plazheve mbi nivelin e detit, si një faktor kyç për të përcaktuar përshtatshmërinë e një plazhi për folezimin e breshkave të detit.

Në të njëjtën kohë, Dr. Sacdanaku dhe grupi i tij kërkimor, po monitorojnë për gjurmë të mundëshme të folezimit të breshkave, duke informuar dhe ndërgjegjësuar dhe publikun. Ky projekt kërkimor, i cili është në vitin e dytë të zbatimit, është ndër të parët e këtij lloji që realizohet në Shqipëri. Projekti po zbatohet nga shoqata MEDASSET1 dhe është pjesë e një projekti më të madh në rajonin e Mesdheut financuar nga Fondacioni MAVA2. 

Për çdo vit në sezonin e verës, breshkat e detit dalin jashtë ujit dhe lëshojnë vezët e tyre në plazhet me rërë në rajonin lindor dhe jugor të pellgut të Mesdheut (kryesisht  Greqi, Turqi, Qipro, etj.). Në vitet e fundit, një numër i vogël i foleve të breshkave të detit janë raportuar në zona, në të cilat zakonisht nuk janë raportuar më parë fole. Të tilla folezime, të ashtuquajtura “sporadike”, janë me interes të lartë shkencor, sepse ato tregojnë se kemi të bëjmë me një spostim të mundshëm të shpërndarjes së folezimeve të breshkave të detit drejt zonave perëndimore dhe veriore të Mesdheut. Breshkat e detit janë lloje migratore dhe ato mund të përgjigjen ndaj ndryshimeve klimatike duke gjetur dhe përdorur habitate të reja për të folezuar, ushqyer dhe  dimëruar. 

Foleja e parë e breashkave detare në Shqipëri u konfirmua zyrtarisht gjatë zbatimit të projektit në 2018-n. 

3 llojet e breshkave

Tre nga shtatë llojet e breshkave të detit takohen në Mesdhe. Breshka kokëmadhe (Caretta caretta) dhe ajo jeshile (Chelonia mydas) folezojnë në Mesdhe, ndërsa breshka kurriz-lëkurore (Dermochelys coriacea)  konsiderohet si një visitor i rrallë. Të gjitha llojet breshkave të detit janë të përfshira në listen e llojeve të rrezikuara të IUCN. Breshkat e detit janë kafshë poikiloterme (me gjak të ftohtë), marrin frymë me mushkëri, riprodhohen me vezë dhe e shpenzojnë pjesën më të madhe të ciklit të tyre jetësor në det dhe dalin jashtë ujit vetëm gjatë verës (çdo 2 – 3 vjet) për të lëshuar vezët në ato plazhe nga ku ato u linden. U duhen  20-30 vite të maturohen seksualisht dhe mund të jetojnë deri në 100 vjet.  Pavarsisht se ato janë historikisht shumë të vjetra (datojnë që nga koha e dinosaurëve)  dhe kanë arritur të mbijetojnë deri në ditët tona, mbijetesa e tyre rrezikohet për shkak të urbanizimit dhe zhvillimit të pakontrolluar të zonave bregdetare, ndotjes,  përplasjes me anijet, peshkimit dhe ndryshimeve klimatike.

Çfarë është MEDASSET

Me fillesat e saj në vitin 1983, MEDASSET u themelua në vitin 1988 në Britaninë e Madhe dhe më pas në vitin 1993 u zhvendos në Greqi. Është një organizatë jo-qeveritare ndërkombëtare regjistruar si jo-fitimprurëse me seli në Greqi. MEDASSET ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol shumë të rëndësishëm në studimin e breshkave të detit dhe habitateve të tyre në të gjithë rajonin e Mesdheut nëpërmjet projekteve kërkimore shkencore, edukimit mjedisor, rritjes së ndërgjegjësimit të publikut, etj. Kjo organizatë është anëtare e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin në Programin e Planit të Veprimit për Mesdheun si dhe anëtare e përhershme e Konventës së Bernës, Këshilli i Europës, që nga viti 1988.   

MEDASSET ka zbatuar në 2005-n projektin me titull: “Vlerësimi i habitateve të rëndësishme të breshkave të detit dhe fokës së Mesdheut në zonën bregdetare të Shqipërisë nëpërmjet një vëzhgimi të shpejtë’’ si dhe gjatë viteve 2008-2010, projektin:  “Monitorimi dhe Ruajtja e habitateve të rëndësishme të ushqyerjes së breshkave të detit në zonën e Patokut, Shqipëri’’. Më vonë, në 2011, në kuadër të një bashkëpunimi të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit, MEDASSET ka përgatitur dokumentin: ‘’Rekomandime për menaxhimin e gjirit të Drinit’’ si dhe ‘’Planin e Veprimit për Ruajtjen e Breshkave të Detit dhe të habitateve të tyre në Shqipëri’’, i cili u aprovua nga Ministria e Mjedisit ne vitin 2012.

Projekti “Eksplorimi i plazheve shqiptare për identifikimin e folezimeve të mundshme të breshkave të detit si dhe hartimi i masave përkatëse ruajtëse për folet e gjetura'' (2018-2019) po zbatohet nga MEDASSET në bashkëpunim me Dr. Enerit Sacdanaku. Projekti financohet nga fondacioni MAVA në kuadër të një projekti tjetër rajonal: “Ruajtja e breshkave të detit in rajonin e Mesdheut’’, i cili po zbatohet nga ARCHELON, DEKAMER, MEDASSET, MedPAN, NMPZ, RAC/SPA (leader), WWF Greece, WWF Turkey.